Lidhje

Sekretarja amerikane e shtetit vlerëson marrëveshjen Kosovë-Serbi


Sekretarja amerikane e shtetit vlerëson marrëveshjen Kosovë-Serbi
Sekretarja amerikane e shtetit vlerëson marrëveshjen Kosovë-Serbi

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton bëri një deklaratë lidhur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian:

Sot, Kosova dhe Serbia kanë ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm në drejtim të së ardhmes së tyre evropiane, duke arritur marrëveshje në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe një protokoll teknik për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për lehtësimin e këtyre diskutimeve duke i ndihmuar këto dy vende të realizojnë një të ardhme më të ndritur.

Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën. Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë e Kosovës, integritetin dhe sovranitetin e saj territorial dhe e afrojnë Kosovën më tepër drejt integrimit të plotë evropian, që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin. Kosova tani do të ulet në tryezt e forumeve rajonale, si një partner i barabartë, që përfaqëson veten dhe flet për veten e saj.

Ne gjithashtu shpresojmë se këto marrëveshje do t’i hapin derën kandidaturës së Serbisë në Bashkimin Evropian. Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është diçka e mirë për Serbinë, e mirë për Kosovën, dhe për të ardhmen e të gjithë rajonit. Ne shpresojmë që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të vazhdojë për çështje të tjera që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi të fortë dhe të qëndrueshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne e kemi mbështetur këtë proces që nga fillimi, dhe ne e njohim angazhimin dhe vendimet e vështira që kanë qenë të nevojshme në mënyrë që të bëhet përparim. Dua të përgëzoj të dy qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e madhe në këtë dialog. Unë inkurajoj popullin e Kosovës dhe të Serbisë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve në mirëbesim dhe për të mbështetur progresin që është bërë. Vetëm nëpërmjet dialogut dhe shtimit të besimit të dy vendet mund të sigurojnë një të ardhme paqësore, të begatë, si pjesë e një Evrope të pandarë, të lirë dhe në paqe.

XS
SM
MD
LG