Lidhje

Hillary Clinton hyn në garën presidenciale


Hillary Clinton filloi fushatën e saj presidenciale për vitin 2016 ndërsa një pretendent tjetër republikan përgatitet të njoftojë kandidaturën e tij.

Ish sekretarja e shtetit filloi një turne në disa shtete duke filluar në Ajoua, ku zhvillohen zgjedhjet e para paraprake.

Clinton njoftoi kandidaturën e saj të djelën përmes një videoje online në të cilën ajo premton të punojë për klasën e mesme.

Clinton është demokratja e parë që hyn në garë për të zëvendësuar zotin Obama që e mposhti atë në zgjedhjet paraprake të vitit 2008 dhe nuk mund të garojë për një mandat tjetër pasi shërbeu dy të tillë si president.

Ndërkohë, gara po bëhet më intensive. Senatori republikan Marco Rubio u tha donatorëve të tij kryesor sot se po garon për president. Ai pritet të bëjë një njoftim zyrtar sonte në mbrëmje në Majemi në vendin ku autoritetet regjistronin dikur kubanët që largoheshin nga qeveria e Fidel Castros në vitet 1960.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, republikanët filluan menjëherë sulmet politike ndaj ish-senatores dhe ish-Zonjës së Parë, që në moshën 67 vjeçare, hyn për herë të dytë në garën presidenciale.

“Unë po kandidoj për presidente”.

Hillary Clinton e shpalli kandidaturën, me një video në internet që kishte në qendër vështirësitë dhe shpresat e qytetarëve të zakonshëm dhe dëshirën e saj për të punuar në emër të tyre.

“Amerikanëve u duhet dikush që të punojë për ta, dhe unë dua që të jem ky person”.

Bashkëshortja e ish-Presidentit Bill Clinton është e përqendruar tek shqetësimet e brendshme.

“Amerikanët kanë përballuar kohë të vështira ekonomike, megjithatë më të pasurit vazhdojnë të jenë të privilegjuar”.

Por detyra e saj si kryediplomate në mandatin e parë të Presidentit Barack Obama do ta vërë atë në qendër të kritikave, përfshirë përdorimin e një adrese private emaili për komunikime zyrtare dhe vendimet e saj në Departamentin e Shtetit para sulmit të vitit 2012 ndaj kompleksit diplomatik amerikan në Bengazi të Libisë.

“Katër amerikanë humbën jetën. A ndodhi për shkak të një proteste, apo sepse disa persona dolën natën në rrugë dhe vendosën të vrisnin disa amerikanë? A ka rëndësi arsyeja?”

Reklamat e republikanëve kanë filluar ta kritikojnë stilin e drejtimit dhe veprimet e zonjës Clinton.

“Hillary Clinton personifikon anën më negative të strukturës së Uashingtonit: Arrogancën e pushtetit, korrupsionin dhe sekretet, konfliktet e interesit dhe udhëheqjen e dështuar me pasoja tragjike”.

Ja ç’thotë kandidati republikan për president në vitin 2012, Mike Huckabee.​

“Ajo është e lidhur me administratën e Presidentit Obama. Nuk besoj se kjo është në favor të saj”.

Sekretari i Shtetit, John Kerry doli në mbrojtje të paraardhëses së tij.​

“Sekretarja e Shtetit, Clinton ka bërë një punë të shkëlqyer në ringritjen e aleancave që ishin dëmtuar në vitet e mëparshme”.

Edhe zoti Obama bëri të njëjtën gjë.

“Ajo ishte një Sekretare Shteti e shkëlqyer. Është mikja ime. Dhe mendoj se do të ishte një sekretare shteti e mrekullueshme”.

“Nuk mendoj se historia e emailave apo Bengazi do të dëmtojnë shanset e saj”.

Analisti politik Charlie Cook thotë se Hillary Clinton është një nga figurat më të njohura politike, qoftë kjo diçka pozitive apo negative. Duke mos pasur ende rivalë mes demokratëve, ajo ka një detyrë të veçantë përpara.

“Hillary Clinton është në garë me vetveten. Ajo duhet të dëshmojë se ka ende peshë në shekullin e 21-të. Ajo duhet të jetë më shumë e orientuar nga e ardhmja sesa nga e kaluara”.

Dhe ajo duhet të shfaqet si figurë në vetvete, megjithëse është gruaja e një ish-presidenti dhe ka shërbyer në një administratë që përballet me sfida nga Ukraina në Jemen. Dje, ajo u përpoq që ta paraqiste veten në një dritë të re para një publiku amerikan të zhgënjyer nga Uashingtoni dhe një elektorat që rrallë voton për presidentë nga e njëjta parti për tre mandate me radhë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG