Lidhje

Reagime për vizitën e sekretares Clinton në Tiranë


Opozita vlerëson mesazhet e sekretares amerikane vecanërisht për zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri Berisha “të angazhuar për një proces të lirë dhe të ndershëm”

Në Shqipëri vizita e djeshme e sekretares amerikane Hillary Clinton është vlerësuar si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa palët politike kanë vecuar në mënyra të ndryshme mesazhet e fjalës së zonjës Clinton në parlament. Për opozitën thirrja e saj për zgjedhje të lira e të ndershme është e një rëndësie jetike për vendin. Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha tha sot se qeveria është e angazhuar për një proces zgjedhor në respekt të të gjitha standarteve duke u zotuar për të punuar për të gjetur konsensuse sa më të gjera me opozitën

Për një vend të vogël si Shqipëria vizita e një sekretari amerikan të shtetit mbetet padyshim një moment me një peshë të vecantë dhe për këtë vlerësimi si “historik” i ardhjes dje të zonjës Hillary Clinton nuk është kursyer nga askush, aq me tepër edhe për zotimin e saj për një mbështetje të vazhdueshme të SHBA ndaj Shqipërisë.

Fjala e sekretares Clinton në parlament ishte dhe momenti më i rëndësishëm i vizitës edhe për shkak të mesazheve që ajo përcolli për “nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës kundër korrupzionit i cili rrezikon të kërcënojë pavarësinë e vendit, nevojën e forcimit të Shtetit ligjor dhe bashkëpunimit politik mes palëve”.

Përfaqësuesit e opozitës u dukën optimist nga këto mesazhe të cilat sipas kryetarit socialist janë vlera dhe parime që duhen jetësuar edhe në Shqipëri. Zoti Rama vecoi si tepër të rëndësishëm thirrjen e zonjës Cinton për procesin e ardhshëm zgjedhor dhe besimin që ai duhet të ngjallë te qytetarët për rezultatin e tyre si dhe te udhëheqësit politik: “Nënvizimi i qartë nga ana e Sekretares së Shtetit, qoftë në mesazhin publik drejtuar parlamentit, qoftë dhe në bisedën tonë të drejtpërdrejtë, për nevojën që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe për angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta asistuar popullin shqiptar në përmbushjen e kësaj nevoje jetike, është për mua dhe për opozitën shqiptare një burim i madh besimi se Shqipëria do ia dalë të ndahet qershorin e ardhshëm nga e kaluara shumë problematike e zgjedhjeve”.

Nga ana e tij edhe kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se qeveria është e angazhuar për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor: “Unë e garantova Sekretaren Klinton se zgjedhjet ardhshme do të jenë zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda të gjitha standardeve më të mira ndërkombëtare. E garantova sepse qeveria ka një vullnet të hekur të punojë në këtë drejtim por shpreha bindjen se opozita është thellësisht e angazhuar që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithashtu kërkova që të ketë sa më shumë vëzhgues nga SHBA-të në zgjedhjet e ardhshme”.

Kryeministri u zotua për të kërkuar konsensus sa më të gjerë me opozitën: “Garantoj se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën, me të gjithë faktorët, në mënyrë që të konsolidojmë më tej vlerat të cilave iu besojmë”.

Bashkëpunimi mes palëve mbetet i vështirë, aq sa fjala konsensus është shpesh më shumë pjesë e një retorike politike mes palëve. Ato kanë një provë për të dëshmuar gatishmërinë për bashkëpunim. Vendi duhet të miratojë me shpejtësi tre ligje të rëndësishme që do t’i hapnin rrugën dhënies së statusit kandidat për në Bashkimin europian, por ato kanë ngelur peng i mosmarrëveshjeve politike.

Mesazhet e zonjës Clinton ishin në qendër të analizave të shumta të bëra edhe në media, të cilat i kanë kushtuar rëndësi edhe interpretimit të aspekteve protokollare të vizitës, që nga pjesmarrësit e ftuar në parlament për të ndjekur fjalën e saj deri te mungesa e një konference shtypi mes kryeminisrit dhe sekretares amerikane, apo dhe takimit të saj me kryetarin e opozitës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG