Lidhje

Klinton i bën thirrje Rusisë të shtyjë hapjen e reaktorit bërthamor në Busher


Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton ndodhet në Rusi për të biseduar mbi një numër çështjesh ndërkombëtare, përfshirë rigjallërimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Të enjten ajo i bëri thirrje Rusisë që të shtyje fillimin e ndërtimit të një reaktori bërthamor në portin e qytetit Bushehr në Iran.

Rusia thotë se reaktori bërthamor të cilin ajo po e ndërton për Iranin do të jetë gati për funksionim nga mesi i këtij viti. Që nga viti 1995, Moska e ka ndihmuar Iranin në ndërtimin e reaktorit në qytetin Busher, por puna në këtë reaktor është ndërprerë disa herë.

Gazetarët e pyetën sekretaren Klinton mbi reaktorin në Busher, kur ajo dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhanë dje një konferencë shtypi për gazetarë.

“Ne vazhdimisht e kemi thënë se Irani ka të drejtë të prodhojë energji bërthamore për qëllime paqësore. Por Irani nuk ka të drejtë të zhvillojë një program për ndërtimin e armëve bërthamore. Nëse Irani e siguron komunitetin ndërkombëtar se programi i tij për energji bërthamore është për qëllime paqësore, dhe nëse ndryshon sjelljet e tij për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, atëherë ata mund të zhvillojnë programin e tyre bërthamor për qëllime paqësore. Nëse Irani nuk i merr këto masa, ne mendojmë se nuk do të ishte mirë të vazhdojë me projektin për ndërtimin e reaktorit tani për tani, sepse ne duam t’i dërgojmë një mesazh të fuqishëm iranianëve.”

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera perëndimore thonë se Irani po zhvillon teknologji bërthamore për të prodhuar armë bërthamore. Irani këmbëngul se operacionet e tij bërthamore kanë synime paqësore.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov këmbëngul se herët a vonë reaktori në qytetin Bushehr do të hapet.

“Ky projekt do të përfundojë. Të gjitha çështjet teknike që kanë të bëjnë me reaktorin në Bushehr janë në fazën përfundimtare dhe ky reaktor do të hapet dhe do të prodhojë energji elektrike.”

Rusia e ka mohuar se vonesat e mëparshme në ndërtimin e reaktorit në Bushehr lidhen me shqetësimet mbi programin bërthamor të Iranit.

Moska thotë se ky reaktor do të jetë nën mbikqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, dhe se Irani duhet t’i kthejë Moskës të gjitha shufrat e karburantit të përdorura.

Në fillim të këtij muaji, presidenti rus Dimitri Medvedev tha se vendi i tij është i gatshëm të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit, nëse Teherani refuzon të ndalojë pasurimin e uraniumit.

Sekratarja Klinton dhe ministri Lavrov thanë se negociatorët e të dyja vendeve janë afër finalizimit të një traktati të ri për pakësimin e arsenalit bërthamor të vendeve të tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bashkëpunuar për një vit për zëvendësimin e Traktatit për Pakësimin e Armëve Strategjike të vitit 1991, START, i cili ka skaduar në dhjetor të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG