Lidhje

Sekretarja Klinton takohet me Pres. Jahjaga, komentojnë marrëdhëniet


Sekretarja Klinton takohet me Pres. Jahjaga, komentojnë marrëdhëniet
Sekretarja Klinton takohet me Pres. Jahjaga, komentojnë marrëdhëniet

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nënshkruan në Departamentin e Shtetit një marrëveshje për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në komentet e saj, pasi foli për rëndësinë e marrëveshjes, zonja Klinton përsëriti mbështetjen e fuqishme për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës. Presidenti Obama dhe unë, tha ajo, jemi të përkushtuar për të garantuar se e ardhmja që Kosova po përpiqet të ndërtojë do të ketë rëndësi të madhe në radhë të parë për popullin e Kosovës por dhe për të gjithë rajonin.

Ajo tha se shpreson që vendimi i javës së kaluar i Bashkimit Evropian të hapë rrugën për integrimin e Kosovës në BE.

Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga e quajti marrëveshjen e nënshkruar në Departamentin e Shtetit një akt të fuqishëm simbolik që flet për marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo tha se

Shtetet e Bashkuara i kanë qëndruar kurdoherë pranë Kosovës. Qëndrimi ynë, tha zonja Jahjaga, është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët. Kosova, tha ajo, është vend i ri me një histori të gjatë dhe ka një trashëgimi të pasur kulturore.

Presidentja e Kosovës ndodhet në Uashington për një numër aktivitetesh. Nesër, ajo do të marrë pjesë në përurimin e një nisme të re të Sekretares Klinton për të shtuar numrin e grave në shërbimin publik dhe në udhëheqjen politike të të gjitha niveleve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Sekretarja Klinton komentoi edhe për gjendjen në veriun e Kosovës. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë konsultuar me Kombet e Bashkuara dhe me të tjerë të cilët nuk kanë raportuar për ndonjë krizë humanitare në rajon. SHBA, tha zonja Klinton, do t’u bënin thirrje banorëve të Kosovës, veçanërisht në veri që të punojnë së bashku. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ata gëzojnë të drejta të barabarta. Sa më shpejt që të ndodhë integrimi i të gjithë qytetarëve në shtetin e tyre, aq më i shpejtë do të jetë krijimi i asaj të ardhmeje që presidentja dëshiron për popullin e saj.

XS
SM
MD
LG