Lidhje

Clinton kritikon ashpër kandidatin republikan Trump


Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton kritikoi ashpër kandidatin republikan Donald Trump në një fjalim për politikën e jashtme të enjten në San Diego të Kalifornisë.

Ajo i quajti idetë e zotit Trump të rrezikshme dhe ilogjike dhe tha se ato nuk janë ide por “llomotitje të çuditshme, grindje personale dhe gënjeshtra të pastra”.

Zonja Clinton tha se Donald Trump është "i papërshtatshëm nga pikëpamja e temperamentit” për të qenë president.

Ajo u përpoq të minojë kualifikimet e manjatit miliarder, duke thënë se “ai nuk e kupton Amerikën ose botën.''

Ish-sekretarja e shtetit tha se ajo ofron një politikë të jashtme inteligjente dhe parimore që synon ta mbajë Amerikën në rolin udhëheqës kudo në glob.

Donald Trump reagoi menjëherë në Tweeter duke e quajtur zonjën Clinton “mashtruese” dhe fjalimin e saj një “performance të dobët.” “Ajo mezi lexon nga teleprompteri,” shkruante zoti Trump, ndërsa kandidatja Clinton fliste.

Fjalimi vjen ndërkohë që ish Sekretarja e Shtetit po përpiqet ta zhvendosë vemendjen te zgjedhjet e 8 nëntorit kundër rivalit të saj të mundshëm Trump dhe jo tek senatori Bernie Sanders, i cili vazhdon përpjekjet e vështira për të fituar emërimin e Partisë Demokrate.

Ndërkohë, zoti Trump mori sot mbështetje nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan, i cili tha se do të votojë për kandidatin Trump.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG