Lidhje

Në prag të debatit të dytë Clinton - Trump


Në SHBA, pas debatit të së martës të kandidatëve për zëvendës president, vëmendja është përqendruar tek debati i dytë mes kandidates demokrate Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump. Debati i dytë presidencial do të mbahet të dielën në St.Louis të shtetit Mizuri. Sikurse na njeh materiali në vazhdim, kandidatit Trump në veçanti i duhet të përgatitet më mirë për këtë debat.

Disa ekspertë dhe sondazhet paraprake treguan për pak epërsi të republikanit Mike Pence ndaj demokratit Tim Kaine, gjatë debatit të vetëm të kandidatëve për postin e zëvendës presidentit. Por Kaine arriti të mbante në qendër të debatit 90 minutësh kundërshtarin Trump:

"Nuk mund të kesh dikë në krye që poshtëron çdo grup për të cilët flet dhe nuk mund të besoj se zoti Pence do të mbrojë fushatën e nxitur nga fyerjet që ka zhvilluar Donald Trump.”

Nga ana tjetër, Pence nuk reagoi ndaj sulmeve duke sjellë në qendër të debatit zonjën Clinton:

“Situata që shohim sot në Siri është rezultat i politikës së jashtëme të dështuar dhe të dobët që Hillary Clinton ndihmoi këtë administratë të krijonte dhe ndiqte.”

Debati i kandidatëve për zëvendës president nuk ka gjasa të ndryshojë mendjet, thotë analisti Austin Hart:

“Mendoj se demokratëve do t’u pëlqente të ishin më agresivë ndaj kundërshtarit Trump ndërsa republikanëve u pëlqen vendosmëria dhe qetësia e zotit Pence.”

Ndërsa vëmendja është përqendruar tek debati i dytë presidencial, Trump po sinjalizon një qasje agresive, duke kujtur ditën kur zonja Clinton ishte me pneumoni:

“Asaj i duhet të përballet me shumë gjëra, por ajo nuk mund të ecë as gjer tek makina e saj.”

Por mbështetja për zonjën Clinton është shtuar pas debatit të parë ndërsa ka të ngjarë që ajo të theksojë unitetin gjatë debatit të dytë të dielën:

“Pikëpamja ime është, ne jemi një vend madhështor, dhe nëse punojmë së bashku, do të bëhemi edhe më mirë gjatë viteve të ardhëshme,” - tha zonja Clinton.

Debati i ardhëshëm i jep zotit Trump një mundësi për të filluar nga e para garën, thotë analisti Matthew Dallek:

“Nëse ai përmirësohet në disa përgjigje, të tregojë njohuri më të shumta dhe të mos veprojë si në debatin e parë, mendoj se përfundimet do të dalin ndryshe.”

Zoti Trump duhet të jetë më i disiplinuar në debat dhe të menjanojë sulmet në median sociale, thotë komentatori konservator Fred Barnes:

“Sa më shumë të flasë rreth asaj, kjo nuk e ndihmon. Ky do të ishte mesazhi i gabuar.”

Debati i radhës Clinton-Trump do të jetë i tillë ku kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve nga gazetarët dhe votuesit e ftuar të marrin pjesë.

XS
SM
MD
LG