Lidhje

Clinton, Trump përgatiten për debatin e tretë

  • Jim Malone

Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump do të përballen të mërkurën në Las Vegas në debatin e tretë dhe të fundit presidencial. Zonja Clinton vazhdon të kryesojë në anketa, prandaj ky debat shihet si shansi i fundit i zotit Trump për të ndryshuar balancën e forcave në këto zgjedhje.

Debati i fundit konsiderohet si një moment vendimtar për Donald Trumpin, i cili renditet rreth 6 pikë pas rivales demokrate në anketat e fundit.

Kandidati republikan vazhdon të paralajmërojë përkrahësit se po luftojnë kundër aparatit politik të Clintonëve dhe kundër një shtypi të politizuar.

“Është një sistem i manipuluar, por ne nuk do ta lejojmë të vazhdojë”.

Pretendimet e zotit Trump janë kundërshtar edhe nga disa republikanë. Kandidati republikan është hedhur në kundërsulm pas akuzave të disa grave për sjellje të tij të papërshtatshme me tone seksuale në të kaluarën.

“Këto janë gënjeshtra që i përhap media dhe fushata Clinton në përpjekje për të mbajtur nën kontroll këtë vend. Të gjitha janë të rreme. Janë shpikje, trillime, 100% fabrikime”.

Zonja Clinton po përgatitet prej ditësh për debatin. Megjithë polemikat për emailet e saj, ajo është përpjekur ta përqëndrojë fushatën tek propozimet politike:

“Së pari, duhet që ekonomia t’i shërbejë mirëqënies së të gjithëve, jo vetëm më të pasurve. Mund ta arrijmë këtë”.

Zonja Clinton ka gjetur mbështetje edhe nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama, e cila ka dalë në fushatë duke përmendur komentet vulgare të Donald Trumpit, të bëra publike kohët e fundit:

“Një njeri me potencë, duke folur pa rezerva për sjelljen agresive seksuale”.

Kandidati republikan ka humbur mbështetje pas publikimit të regjistrimit dhe akuzave nga disa gra, thotë analisti Tom DeFrank:

“Kjo sjellje nuk do e ndihmojë për të marrë mbështetjen e grave të bardha, të arsimuara që i duhen në këto zgjedhje”.

Dy kandidatët do të sjellin stile të ndryshme në debatin e fundit, thotë analisti republikan John Feehery:

“Mendoj se Hillary do të tregohet e kujdesshme, pasi nuk do të humbasë epërsinë që ka. Ndërsa Trumpi, mendoj unë, do të përdorë çdo mjet pasi beson se ky është shansi i fundit për të mbyllur hendekun. Ai do të hidhet në sulm kundër zonjës Clinton”.

Në javët e fundit të fushatës, dy kandidatët do të përqëndrohen në një numër shtetesh të pavendosura që do të jenë vendimtare në rezultatin e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG