Lidhje

Clinton i përqëndron kritikat tek Trumpi


Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, po e përqëndron mesazhin në dallimet mes saj dhe kandiadatit republikan Donald Trump.

Megjithëse as zonja Clinton, as zoti Trump nuk e kanë siguruar emërimin e partive përkatëse si kandidatë të tyre në zgjedhjet e nëntorit, shanset për secilin janë thuajse të garantuara që të jenë dy rivalët që ballafaqohen në zgjedhjet presidenciale.

Dje zonja Clinton u tha përkrahësve të saj në Kaliforni se zoti Trump është kundër rritjes së pagës minimale dhe se nuk do t’ia dijë për gratë apo imigrantët.

Komentet e kandidatit republikan për të deportuar në masë imigrantët e paligjshëm shkaktuan protesta të reja dje në shtetin Oregon.

Nga ana e tij, zoti Trump është hedhur në akuza kundër zonjës Clinton duke thënë se ajo përpiqet të fitojë pikë duke theksuar se është grua, përndryshe askush nuk do të votonte për të. Sipas anketave, Donald Trump nuk gëzon mbështetjen që i duhet mes grave.

Ndërkohë në kampin demokrat, kandidati Bernie Sanders nuk ka hequr dorë nga beteja duke u zotuar para përkahësve se rivalja e tij Clinton, nuk do të arrijë të marrë numrin e duhur të delegatëve para fillimit të kuvendit të partisë në korrik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG