Lidhje

Klinton, Trump, vazhdojnë fushatën zgjedhore


Kandidati republikan për president Donald Trump e ka kthyer vëmendjen drejt shtetit të pavendosur të Floridës, ku sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se ai e ka rritur epërsinë ndaj rivales së tij demokrate, Hillary Clinton. Të dielën ai mban një tubim në qytetin Fort Myers.

Të premten në mbrëmje ai i tha një audience në Miami, se truprojat e zonjës Clinton duhet të mos mbajnë më armë, sepse ajo dëshiron të eliminojë Amendamentin e Dytë të kushtetutës amerikane, i cili mbron të drejtën e qytetarëve për të mbajtur armë.

Zonja Clinton nuk ka bërë thirrje asnjëherë për heqjen e Amendamentit të Dytë, por për një qëndrim më të fortë ndaj armëmbajtjes, duke përfshirë kontrollet e biografisë së personave që kanë armë.

Fushata e zonjës Clinton po përpiqet të rikthejë epërsinë e konsiderueshme që dikur kishte ndaj zotit Trump duke bërë një përpjekje të bashkërenduar për të fituar mbështetjen e votuesve të zhgënjyer, të cilët po anojnë nga kandidati i Partisë Libertariane, Gary Johnson dhe kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein.

Zonja Clinton shpreson të sigurojë mbështetje në mesin e këtyre votuesve të shtunën, kur senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, që kanë mbështetje të madhe nga votuesit e rinj liberalë, zhvillojnë fushatë në mbështetje të zonjës Clinton. Zoti Sanders foli në Universitetin e Akronit, ku ai tha se mes të tjerash, se çdo familje amerikane me të ardhura më pak se 125 mijë dollarë në vit, duhet të ketë mundësinë që fëmijët e tyre të shkollohen falas.

Në bazë të sondazheve të fundit zonja Clinton dhe zoti Trump gëzojnë mbështetje të barabartë në shtetin e Ohajos.

XS
SM
MD
LG