Lidhje

22 emaile sekrete në serverin e Znj. Klinton


Departamenti amerikan i Shtetit pohoi për herë të parë se serveri i pasiguruar i ish-Sekretares Hillari Klinton në shtëpi përmbante 22 emaile me informacion tepër sekret dhe tha se këto emaile nuk do të viheshin në dispozicion të publikut.

Zëdhënësi John Kirby tha se materiali përfshin shtatë shkëmbime e-mailesh që kapin 37 faqe mesazhesh. Ai tha se e-mailet nuk do të publikohen, as duke fshirë rreshta të caktuar, siç është vepruar me emaile të tjera që i përkasin kohës kur zonja Klinton ishte kryediplomatja e vendit.

Zoti Kirby tha se dokumentet nuk kishin shenjën “sekret” në kohën kur janë dërguar, por janë duke u kategorizuar si të tillë tani, me kërkesën e zyrtarëve të zbulimit. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit po kontrollojnë për të parë nëse në serverin e zonjës Klinton ka patur ndonjë email me material të shënuar si sekret në atë kohë.

Zonja Klinton ka thënë vazhdimisht se ajo nuk ka marrë apo dërguar ndonjë material të tillë.

Ky zhvillim vjen vetëm tri ditë para se zonja Klinton, konkurrente kryesore për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, të marrë pjesë në votimet e shtetit Iowa, që shihen si një test për demokratët dhe republikanët në fushatat brenda partive të tyre.

Të shtunën, zonja Klinton mori mbështetjen politike të gazetës më të njohur amerikane, Nju Jork Tajms për emërimin demokrat. Gazeta tha ndërkohë se favorizon guvernatorin e shtetit Ohio, John Kasich si kandidat për emërimin republikan.

XS
SM
MD
LG