Lidhje

Shqipëria festoi çlirimin nga nazistët


Autoritetet më të larta shtetërore, partizanë dhe antarë të rezistencës antifashiste nderuan sot me përulje kujtimin e dëshmorëve të rënë në përpjekje me pushtuesit e Luftës së Dytë Botërore. Ata vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, për të kujtuar 70 vjetorin e çlirimit të vendit nga ushtritë nazifashite.

70 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga nazistët
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Së bashku me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama iu bashkuan ceremonive shumë partizanë e partizane dhe familjarë të dëshmorëve të luftës. Zyrtarët më të lartë, antëtarë të parlamentit dhe të qeverisë si dhe diplomatë të huaj vendosën kurora dhe tufa me lule për të nderuar sakrificat e dëshmorëve që humbën jetën e tyre, shumica të rinj e të reja, gjatë rezistencës së përgjakshme shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.

Ndryshe nga herët e tjera, në këto përkujtime zyrtare nuk u lejuan nga ceremoniali apo nuk arritën dot të depërtonin për të marrë pjesë nostalgjikë të diktaturës komuniste, që shpesh marrin me vete shfaqin në mjedise publike foto të diktatorit Enver Hoxha. Megjithatë disa qindra prej tyre, marshuan rrugëve të Tiranës me fotot e diktatorit, me flamuj kombëtarë me yll komunist mbi shqiponjë, me tabela simbolin drapwr e çekan dhe me parrulla lavdëruese për Partinë Komuniste.

Pasi shpalosën fotot e diktatorit Enver Hoxha, flamujt me yll dhe tabelat e tyre me simbole komuniste, ata iu drejtuan varrezave të dëshmorëve të kombit. Ndërkohë një tjetër tubim proteste zhvilluan në sheshin Skënderbej të burgosurit politik të diktaturës komuniste. Qindra prej të dënuarve politike dhe të internuarve marshuan në shëtitoren e Kombit me një tabelë ku thuhej se paqja duhej të vinte mbi urrejtjen, se në Europë nuk mund të shkohej me simbolet e diktaturës, dhe se kërkonin trupat ende të pagjetur të 4 500 nacionalistëve të vrarëve e të zhdukur nga diktatura komuniste.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri sot shoqëria shqiptare ka trashëguar mjaft mospajtime dhe konflikte, që përsëriten çdo fundviti sapo vjen nëntori. Ajo që për një pjesë është 70 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë për pjesën tjetër është themelimi i njërës prej diktaturave më të egra të ish-kampit komunist, ku humbën jetën, u burgosën, torturuan dhe internuan dhjetarë mijëra dijetarë, klerikë dhe shqiptarë të thjeshtë vetëm pse kishin mendime demokratike perëndimore dhe pse praktikonin besimin e tyre fetar.

XS
SM
MD
LG