Lidhje

Clinton, Trump, shkëmbejnë batuta me humor


Dy kandidatët për president Clinton dhe Trump ishin mbrëmë në një darkë tradicionale bamirësie në Nju Jork, e cila është bërë e njohur për batutat, që zakonisht folësit hedhin ndaj njëri-tjetrit dhe për humorin që bëjnë me veten. Kësaj radhe, megjithëse pati humor, ai degjeneroi disa herë në komente serioze që kandidatët bënë ndaj njëri-tjetrit.

Është një darkë e përvitshme, e cila në raste fushatash presidenciale shërben për të mbledhur fonde për qëllime bamirësie, por edhe për të çtensionuar sadopak situatat e ndezura politike, siç ndodh në prag të zgjedhjeve presidenciale. Darka e djeshme erdhi pas përplasjes mjaft të ashpër që patën kandidatët Clinton dhe Trump një ditë më parë.

Mbrëmë, disa prej shakave që bënë kandidatët ishin të suksesshme dhe u pritën me duartrokitje:

“Kardinali thotë se unë nuk kualifikohem për t’u bërë shenjtore. Por të kalosh tre debate me Donaldin, kjo duhet quajtur një mrekulli”, tha zonja Clinton. Ajo aludoi për debatet tepër të ashpra që kandidatët kanë patur me njëri-tjetrin javët be fundit, e që kanë degjeneruar shpesh në fyerje.

“Mediat këtë vit po tregohen më subjektive se kurrë ndonjëherë. A doni një provë? Michelle Obama mban një fjalim dhe të gjithë e pëlqejnë, është fantastik. Të gjithë mendojnë se fjalimi është shumë i mirë. Gruaja ime, Melania, mban saktësisht të njëjtin fjalim dhe njerëzit e mbysin me kritika. Këtë nuk e kuptoj.”

Zoti Trump aludoi në këtë rast ndaj mediave, që zbuluan se disa fraza në fjalimin e Melanias disa muaj më parë ishin kopjuar nga një fjalim i Michelle Obamës.

Por nuk pati vetëm shaka. Disa komente të zotit Trump ndaj rivales së tij u pritën me fishkëllima në sallë. Ndërsa disa komente të zonjës Clinton ishin tepër serioze, saqë i ngjanin një fjalimi fushate. Me shumë vështirësi, në fund dy rivalët i dhanë dorën njëri-tjetrit.

XS
SM
MD
LG