Lidhje

Çmimet e naftës dhe industria e transportit ajror

  • Jim Randle

Çmimet e naftës kanë rënë gjatë ditëve të fundit pas ngritjes së skajshme në fillim të këtij viti. Shqetësimet rreth furnizimeve të mjaftueshme me naftë mbizotëruan lajmet se zgjedhësit evropianë hodhën votën kundër masave shtrënguese ekonomike, se disa vende kanë rënë përsëri në recesion dhe se vendet me ekonomi të mëdha në zhvillim po shënojnë një rritje ekonomik shumë të ngadaltë. Por kostot e larta të energjisë kanë sjellë tashmë ndryshime drastike në një industri globale, dhe mund ta shtyjnë atë përsëri nga fitimi në humbje.

Çmimet e karburantit ishin rreth një e shtata e shpenzimeve për një linjë ajrore tipike një dekadë më parë – duke konsumuar më pak nga buxheti, se sa pagat për pilotët dhe punonjësit e tjerë.

Por zëdhënësi i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror Perry Flint thotë se kjo ka ndryshuar në mënyrë drastike dhe shpenzimet e karburantit tani i tejkalojnë pagat.

"Sot, karburantit përbën shpenzimin më të madh. Në këtë industri- kemi llogaritur se ai përfaqëson rreth 34 për qind të shpenzimeve operative për një linjë ajrore."

Ekspertët në grupin e tregtisë ajrore thonë se kostot e larta të karburantit i kanë detyruar tashmë të ulin parashikimet për fitimet e pritshme vjetore të industrisë prej vetëm $ 3 miliardësh, me gjysëm miliard dollarë.

Fitimet mund të bien edhe më tej, nëse një konflikt politik ose ushtarak shkakton ngritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar duke arritur në 150 $ për fuçi. Flint thotë se kjo mund ta shtyjë industrinë e tërë në humbje të konsiderueshme.

Pra, çfarë do të ndodhë me çmimet e naftës gjatë muajve të ardhshëm?

Rayola Dougher është këshilltare e lartë ekonomike në Institutin Amerikan të Naftës, që përfaqëson kompanitë e naftës.

"Kjo është me të vërtetë e vështirë të parashikohet. Nëse do ta dija çfarë do ndodhte do të bëhesha gruaja më e pasur në botë."

Ajo thotë se çmimet u rritën për shkak të shqetësimeve se trazirat mund të dëmtojnë prodhimin në vendet nga eksportohet nafta, duke ndërprerë furnizimin botëror.

"Jemi në një gjendje pasigurie të madhe sidomos me paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme, që nuk dihet si do të zgjidhet. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me sanksionet ndaj Iranit. "

Kohët e fundit, kërkesa dhe çmimet kanë rënë për shkak se disa nga ekonomitë e mëdha po rriten shumë ngadalë, ose aspak.

Dougher thotë se kërkesa mund të bjerë edhe më tej, ndërsa çmimet e larta të benzinës në Shtetet e Bashkuara mund t’i nxisë amerikanët të kursejnë karburant duke përdorur makina të vogla dhe duke përdorur më pak makinat. Ajo thotë se këto ndryshime kanë të ngjarë të ndodhin nëse çmimet ngrihen më tepër se 1,05 dollarë për një litër.

Çmimi mesatar në mbarë vendin ka qenë pranë këtij niveli vetëm disa javë më parë, por ka rënë kohët e fundit.

Ajo thotë se çmimet e ulëta të naftës mund të ndihmojnë në rritjen ekonomike, duke mundësuar shpenzimin e fondeve të bizneseve dhe konsumatorëve, dhe duke shtuar kërkesën për mallra dhe shërbime.

XS
SM
MD
LG