Lidhje

Çmimet Golden Globes


Golden Globes
Golden Globes
Filmi historik “12 Years a Slave” siguroi një fitore mahnitëse në ceremoninë e 71 vjetore të çmimeve Golden Globes, që u zhvillua të djelën në mbrëmje në Beverly Hills të Kalifornisë.

Historia e vërtetë e një zezaku të shekullit të 19-të, i cili nga një njeri i lirë përfundoi në skllav dhe më pas fitoi përsëri lirinë, fitoi çmimin më të mirë për një film dramatik.

Kjo fitore ishte e papritur pasi filmi “12 Years a Slave” nuk fitoi në asnjë kategori tjetër, përfshirë këtu çmimin e regjisorit më të mirë, apo aktorit më të mirë.


Filmi “American Hustle” i bazuar në historinë e viteve 70-të të një mashtruesi i shtirë si artist, fitoi çmimin e komedisë më të mirë si dhe u siguroi çmimin e aktores më të mirë, Amy Adams dhe Jennifer Lawrence.

Çmimi për aktorin më të mirë në dramë e fitoi Matthew McConaughey për rolin e tij në filmin “Dallas Buyers Club” dhe aktoren më të mirë, Cate Blanchett në filmin “Blue Jasmin” të regjisorit, Woody Allen.

Woody Allen u nderua edhe me çmimin Cecil B. DeMille për kontributin e tij jashtëzakonshëm në fushën e artit. Vetë regjizori Allen mungonte në ceremoni pasi është një fakt tashmë shumë i njohur qëndrimi i tij kundër ceremonive të tilla për dhënien e çmimeve. Në emër të tij çmimin e mori, aktorja Diane Keaton, e cila luan në filmin tjetër të regjizorit Allen, “Annie Hall”.

Në ceremoni iu dha lamtumira programit televiziv, “Breaking Bad”, historia e një trafikanti të njohur drogash, duke i dhënë asaj çmimin e dramës më të mirë televizive dhe aktorit Bryan Cranston çmimin më të lartë të aktrimit televiziv.

"Kjo është një mënyrë kaq e dashur për t’i thënë lamtumirë këtij programi që ishte kaq domethënës për mua", tha aktori Cranston kur mori çmimin.

Robin Wright arriti një sukses të madh në këtë industri duke fituar çmimin e aktores më të mirë në një dramë televizive për rolin e saj në filmin “House of Cards”, që transmetohet nga sistemi Netflix.

Aktorët veteranë Michael Douglas dhe Jon Voight fituan çmime për rolin e tyre në mini serialet televizive –Michael Douglas si aktori më i mirë për interpretimin e Liberace në filmin “Behind The Candelabra” të rrjetit HBO dhe Jon Voight si aktori më i mirë në rol mbështetës për filmin “Ray Donovan” të rrjetit Showtime.

Ceremonia e çmimeve Golden Globes u transmetua drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv NBC dhe u drejtua për të dytin vit me radhë nga aktoret komediane Tina Fey dhe Amy Poehler.

Golden Globes, ceremonia e parë e vitit për filmat më të mirë, shpesh shikohet si parashikim i çmimeve prestigjoze Oscars.
XS
SM
MD
LG