Lidhje

Ndikimi i politikës dhe zhvillimeve aktuale tek çmimet Oskar


Ceremonia e 89-të e Çmimeve Oscar po afron dhe si çdo vit, admiruesit, kritikët dhe njohësit e Hollivudit janë të ndarë se cili kandidat duhet të marrë trofenë e çmuar. Megjithëse ideja është se filmat gjykohen për meritat e tyre artistike, janë gjithashtu edhe konsideratat politike që mund të përcaktojnë fituesin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou njofton.

Muzikali nostalgjik i Damien Chazelle-it, La La Land konsiderohet nga shumë si fituesi i padiskutueshëm i çmimit Oscar. Filmi i përket kategorisë së muzikalëve hollivudian, ka një kinematografi të shkëlqyer, muzikë të mirë dhe një histori prekëse. Por, a është ky film me aq vlera sa për t’u propozuar për 14 kategori, një numër i barabartë ky vetëm me dy filma të tjerë në historinë e Hollivudit: dramën e viteve 1950 “All About Eve” nga Bette Davis, dhe “Titaniku” i James Cameron-it.

Giovanna Chesler, drejtoresha e programit të Studimeve për Filmin dhe Videon në Universitetin Mason, thotë se si në çdo fushatë tjetër, reklamat e fuqishme dhe paratë janë shpesh më të rëndësishme sesa meritat artistike.

“Kjo bëhet në mënyrë që të sigurohet tregu për këta filma. Pra, është një makinë e madhe për marrëdhëniet me publikun që fillon punën kur shpallen kandidaturat”, thotë ajo.

Vetë kineaste, zonja Chesler thotë se ka besim se këtë vit ka më shumë kandidatura për filmat dhe aktorët e pakicave. Ajo veçon filmin “Moonlight”, një dramë që ka në qendër një djalë afrikano-amerikan që rritet në një komunitet të ndikuar nga droga, dhe filmin “Fences”, të Denzel Washington-it që ka në qendër një burrë dhe baba që megjithë të metat e tij, punon shumë për të lënë gjurmë në këtë botë. Këta filma të spikatur, thotë Chesler, mund të mos ishin regjistruar në ndërgjegjen e shikuesve dhe të votuesve të Akademisë nëse nuk do të ishte për fushatën dhe protestat e vitit të kaluar kundër mungesës së kandidatëve me ngjyrë.

“Akademia u kritikua që anëtarët e saj ishin përgjithësisht burra të bardhë, kryesisht jo homoseksualë, që përcaktonin si kandidimin ashtu edhe votimin. Ata bënë përpjekje për një përfaqësim më gjithëpërfshirës në procesin e votimit”, thotë zonja Chesler.

Ajo thotë se lëvizja ka ndihmuar në nxitjen e filmave të aktorëve me ngjyrë:

“Ne e dimë se filmi 'Hidden Figures' është ndër më të ndjekurit në kinema dhe ka marrë një çmim SAG (shoqata e aktorëve të ekranit)".

Bazuar në një histori të vërtetë, “Hidden Figures”, është historia frymëzuese e tre grave afrikano-amerikane që punonin për NASA-n, gjatë misionit të dërgimit të astronautit të parë amerikan në hapësirë dhe më pas në Hënë. Filmi ka marrë votën popullore dhe është pretendent për çmimin Oscar.

Zhvillimet politike mund të kenë gjithashtu ndikim. Veprimet e presidentit Trump për imigracionin i kanë vënë përsëri refugjatët në qendër të vëmendjes. Dokumentari i Giancarlo Rossit “Fire at Sea” tregon përpjekjet e shpërtimit të imigrantëve në ishullin italian Lampedusa. Shumë refugjatë arrijnë të shpëtojnë kurse të tjerët gjejnë vdekjen në këtë proces.

“Është koha e dokumentarëve. Sa më shumë pyetje dhe vëmendje që marrin aq më mirë është të shohësh këtë zhanër të lulëzojë", thotë zonja Chesler.

Në kategorinë e filmave të huaj, “The Salesman” nga regjisori Asghar Farhadi mund të ketë marrë më shumë vëmendje pas urdhrit të presidentit Trump për të ndaluar hyrjen në Amerikë të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Regjisori iranian thotë se ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e këtij viti, edhe nëse do të ishte lejuar të vinte në Shtetet e Bashkuara.

Përsëri, atmosfera e ndasive politike mund të bëjë që votuesit e Oscarit të zgjedhin subjektet dhe aktorët tradicionalë, thotë Giovanna Chesler.

“La La Land është barometri. Filmi ka siguruar më shumë kandidatura sesa çdo film tjetër. Nuk dua të them se është një film për Trump-in, por dua të them se është një film që feston mediokritetin e të bardhëve. Ka dy personazhe që nuk janë kërcimtarë të mirë, që nuk janë këngëtarët më të mirë, që nuk kanë kualifikimin e duhur por që luajnë rolin e muzikantëve që mbahen më lart se sa John Legend, i cili në fakt është këngëtar i mirë”, thotë ajo.

Chesler shpreson të shohë që çmimet do të shpërndahen në mënyrë më të barabartë tek artistët që i përkasin pakicave këtë vit. Ajo thotë se vlerësimi i tyre do të jetë një hap në drejtimin e duhur për Hollivudin.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG