Lidhje

Shpallen fituesit e çmimit Nobel në shkencat ekonomike


Dy studiues, njëri nga Universiteti i Harvardit dhe tjetri nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, u shpallën sot fitues të çmimit Nobel në fushën e shkencave ekonomike. Çmimi i fundit Nobel për këtë vit, ai për letërsinë, do të njoftohet të enjten.

Oliver Hart, i Universitetit të Harvardit, dhe Bengt Holmstrom, i Institutit të Teknologjisë së Masaçusets, morën çmimin Nobel në fushën e shkencave ekonomike.

Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë tha se puna e fituesve ka vlerë për të kuptuar kontratat sociale reale dhe institucionet, si dhe kurthet e mundshme në ndërtimin e këtyre kontratave.

Hart dhe Holmstrom do të ndajnë mes tyre çmimin prej 924 mijë dollarësh. Atyre do t’u jepet zyrtarisht çmimi më 10 dhjetor, në përvjetorin e themeluesit të çmimit, Alfred Nobel, i cili vdiq në vitin 1896.

Çmimi Nobel për Shkencat Ekonomike u krijua nga banka qendrore e Suedisë në vitin 1968, ndërsa çmimet e mëparshme ishin krijuar nëpërmjet testamentit të vitit 1895 të lënë nga zoti Nobel.

Javës që kaloi, komiteti njoftoi gjithashtu çmimet Nobel për mjekësinë, fizikën, kiminë dhe paqen.

Çmimi i fundit, ai për letërsinë, do të njoftohet ditën e enjte.

XS
SM
MD
LG