Lidhje

Vota e hispanikëve në Kolorado

  • Greg Flakus

Hispanikët përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë së këtij shteti përëndimor ku Obama fitoi më 2008

Një nga shtetet ku anketat e opinionit tregojnë se presidenti demokrat Barack Obama dhe sfiduesi i tij republikan Mitt Romney kanë mbështetje pothuaj të barabartë është Kolorado. Në zgjedhjet e vitit 2008 presidenti Obama ka fituar në Kolorado. Megjithëse anketat tregojnë se presidenti ka një epërsi të vogël, faktor përcaktues mund të jetë entuziazmi i mbështetësve të tij përfshirë votuesit hispanikë, të cilët përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë së këtij shteti përëndimor.

Në një ditë të nxehtë në Pueblo, Dominic Martinez troket derë më derë, në përpjekje për të gjetur votuesit të cilët favorizuan partinë demokratike katër vite me parë.

Ai duhet të përballet me qentë dhe njerëzit të cilët nuk kanë entuziazëm për të biseduar.

“Ne po përpiqemi t’i bindim ata votues të cilët nuk janë të sigurtë se cilin kandidat do të mbështesin, presidentin Obama apo Romney-in, dhe pastaj i pyesim se cilin kandidat mbështesin”.

Gjysma e popullatës së qytetit Pueblo është hispanike dhe shumica e mbështesin presidentin Obama ashtu si katër vite më parë. Kolorado është në mesin e shteteve të cilat konsiderohen konkurruese për fushatat e të dy kandidatëve. Këto shtete do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të 6 nëntorit.

Por entuziazmi, veçanërisht në mesin e votuesve të rinj, është venitur.

“Mendoj se Obama po bën premtime të njëjta, edhe Romney po përpiqet të bëjë premtime. Jam e lodhur nga premtimet, dua të shoh më shumë veprim”.

Në Pueblo, rezultati i zgjedhjeve varet nga pjesëmarrja e votuesve e jo nga preferencat e tyre.
Kjo mund të jetë e vërtetë edhe në rajone të tjera të këtij shteti, ku profesori i shkencave politike i Universitetit të Kolorados në Boulder, Kenneth Bickers, thotë se mosinteresimi mund të ulë pjesëmarrjen.

“Nëse pjesëmarrja në votime është e lartë, duke u bazuar në anketat e opinionit, presidenti Obama do të kishte shanse më të mëdha për t’u rizgjedhur. Nëse shumica e hispanikëve vendosin të qëdrojnë në shtëpi, kjo do ta bënte shumë më të vështirë fitoren e presidentit”.

Duke marrë parasysh këtë vlerësim, mbështetësja e presidentit Obama Teresa Trujillo, e grupit Colorado Progressive Action në Pueblo, po koordinon përpjekjet me grupe të tjera për mobilizimin e votuesve.

“Angazhimi i votuesve rritet si rezultat i trokitjes derë më derë dhe punës sonë në terren”.
Republikani hispanik Silverio Salazar, i cili shpreson se kjo përpjekje do të dështojë, thotë se shumë votues janë të shkurajuar nga ekonomia e dobët.

“Pyetja kryesore është: ‘a jeni më mirë sot sesa para katër viteve?’ Ndoshta një në 40 ose 50 njerëz ende janë të punësuar por të tjerët janë pa punë. Jo, ata nuk janë më mirë”.

Zoti Salazar thotë se republikanët mund të përfitojnë në këto zgjedhje nëse hispanikët demokratë vazhdojnë të jenë të shkurajuar.

“Ata mund të rrinë në shtëpi dhe të lejojnë që dikush tjetër të vendosë për zgjedhjet e këtij viti”.

Me afrimin e zgjedhjeve, vullnetarët e të dyja partive do të intensifikojnë përpjekjet për të mobilizuar votuesit e tyre.
XS
SM
MD
LG