Lidhje

Vrasësi i Kolorados paraqitet në gykatë


Prokurorët filluan të paraqesin argumentat kundër personit të akuzuar për sulmin vdekjeprurës në një kinema amerikane në korrik.

Seanca paraprake në çështjen penale kundër 25 vjeçarit James Holmes po zhvillohet sot në Colorado. Prokurorët kanë ngritur 160 akuza kundër James Holmes për vrasjen e 12 personave dhe plagosjen e 58 të tjerëve në Kolorado.

Seanca dëgjimore pritet të zgjasë një javë, kur prokurorët të parashtrojnë për herë të parë çështjen e tyre kundër Holmesit. Para seances dëgjimore njerëzit u mblodhën pranë gjykatës, përfshirë të afërm të viktimave. Një gjykatës do të vendosë më pas nëse çështja do të kalojë për gjykim.

Prokurorët nuk kanë vendosur ende nëse do të kërkojnë dënimin me vdekje.

Autoritetet thonë se Holmes sulmoi kinemanë gjatë premierës së filmit në mesnatë duke hedhur gaz lotsjellës brenda në sallë përpara se të fillonte të qëllonte mbi spektatorët.

25 vjeçari, ishte student i doktoraturës në neuroshkencë, por u shkëput nga programi i tij një muaj para se të kryente vrasjet.

Avokatët e tij kanë thënë se ai është i sëmurë mendor dhe të dhënat në gjykatë tregojnë se ata do të thërrasin dëshmitarë në seancën paraprake për të dëshmuar për gjendjen e tij mendore.
XS
SM
MD
LG