Lidhje

Ende pa kompromis në prag të shkurtimeve


Në Uashington po shuhen shpresat se mund të ketë ndonjë zgjidhje për të parandaluar hyrjen në fuqi të 85 miliardë shkurtimeve automatike nga buxheti federal. Republikanët dhe demokratët nuk duken pranë një kompromisi për të shmangur shkurtimet që do të preknin çdo agjenci dhe dikaster federal dhe sipas kreut të Bankës Qendrore, do të rrezikojnë rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Megjithë rrezikun e lartë, deri tani në Uashington janë vërejtur më tepër akuza të ndërsjellta.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner thotë se ka ardhur koha që Presidenti dhe Senati i kontrolluar nga demokratët të marrin rol udhëheqës:

“Dhoma ka vepruar dy herë. Nuk na takon ne të veprojmë për të tretën herë, para se Senati të bëjë detyrën e tij”.

Shkurtimet automatike të shpenzimeve, afro 3 për qind e buxhetit federal, do të reduktonin shpenzimet e mbrojtjes dhe do të shkurtonin shërbimet qeveritare që nga siguria e kufijve e deri tek kontrolli ushqimor.

Shtëpia e Bardhë kërkon një zgjidhje më të balancuar që përfshin shkurtime shpenzimesh dhe rritje taksash.

Për momentin, Presidenti Obama po e cilëson hyrjen në fuqi të shkurtimeve automatike si arbitrare dhe të papërgjegjshme:

“Shkurtimet nuk ka përse të aktivizohen. Kongresi mund ta parandalojë hyrjen e tyre në fuqi me pak kompromis”.

Republikanët e akuzojnë Presidentin se po zhvillon teatër politik. Guvernatori i Luizianës Bobby Jindal thotë se presidenti po përhap panik:

“Presidenti duhet të ndalë përpjekjet për të frikësuar amerikanët. Mund të shkurtohen më shumë se 3 për qind nga buxheti pa pasur pasoja drastike, pa u mohuar njerëzve vaksina të rëndësishme, pa eliminuar kontrollin e ushqimit”.

Në mungesë të përparimit në Uashington për të reduktuar shpenzimet, kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke paralajmëroi ligjvënësit se pasiviteti do të ngadalësonte ndjeshëm rritjen e ekonomisë amerikane:

“Përveç efekteve negative në tregun e punës dhe të ardhurat, ngadalësimi i mëkëmbjes ekonomike do të çonte në një reduktim më të vogël të deficitit në periudhën afat-shkurtër”.

Ekonomisti William Gale thotë se këmbëngulja e republikanëve për shkurtime të përgjithshme nuk përfill realitetin ekonomik:

'“Duhet të flasim për masa që nxisin ekonominë, shtojnë shpenzimet dhe jo për shkurtime”.

Raportet çojnë në përfundmin se republikanët mund të jenë të hapur për të modifikuar kushtet e ligjit në mënyrë që Presidenti të ketë mundësi të vendosë cilat programe të reduktojë. Analistët thonë se një masë e tillë do t’u siguronte republikanëve mbrojtje politike dhe do ta hidhte mbi Presidentin përgjegjësinë për ndikimin ekonomik të shkurtimeve.

XS
SM
MD
LG