Lidhje

Yjet e spektaklit, koncert për veteranët


Dje në Shtetet e Bashkuara ishte Dita e Veteranëve. Shumë amerikanë shijuan një ditë pushimi nga puna, ndërsa një rrjet televiziv organizoi këtu në Uashington një koncert me yje të shumtë të botës së spektaklit, për të nderuar miliona burrat dhe gratë që shërbejnë dhe kanë shërbyer në ushtrinë amerikane. Turma të mëdha njerëzish mbushën shëtitoren Kombëtare për të parë koncertin.

Ishte një festë për Ditën e Veteranëve në Parkun Kombëtar të Uashingtonit e quajtur "Koncert për trimërinë", e para e këtij lloji e organizuar nga rrjeti Home Box Office, ose HBO, një shërbim televiziv me abonim.

Këngëtarja Jennifer Hudson filloi shfaqjen, duke kënduar himnin amerikan
ndërsa komediani Jamie Foxx udhëhoqi turmën me thirrjen e famshme:

"USA! USA! USA!"

Por ishin Bruce Springsteen, Dave Grohl dhe Zac Brown ata që elektrizuan turmën duke interpretuar këngën himn kundër luftës, të vitit 1969, “Fortunate Son” (Biri me fat) të grupit Creedence Clearwater Revival.

Koncerti ndihmoi për të mbledhur para për organizatatat e shërbimeve të veteranëve dhe ishte një bashkëpunim mes HBO-së, bankës Chase dhe gjigandit të kafesë Starbucks.

"Është shumë emocionale kur sheh që vendi yt arrin të bashkohet dhe të nderojë një histori, dhe të shohësh një temë në Amerikë që nuk është polarizuar, që nuk është jofunksionale, që të gjithë mund ta mbështesim," tha drejtori ekzekutiv i kompanisë Starbucks, Howard Schultz.

Mes interpretimeve plot gjallëri dhe përshëndetjeve të regjistruara në video, turma njohu ushtarë si Kellie McCoy, e cila tregoi historinë kur karvani i saj u sulmua në Irak... dhe se çfarë u nevojit për të shpëtuar ata që luftonin nën komandën e saj.

"Një grup luftëtarësh armiq po i afroheshin me shpejtësi automjetit tonë me automatikë AK-47 dhe unë u detyrova të vrisja dy prej tyre me armën time M4. Tre nga katër makinat tona ishin dëmtuar dhe mua m’u desh të kthehesha pas, ku na ishte bërë prita, që të përpiqesha të vija në kushte sigurie personelin tim dhe ushtarët që ishin me mua."

Në prapaskenë, McCoy e minimizoi aktin e saj para gazetarëve ...

"Çdo ushtar ka një histori që është pak a shumë si e imja. Unë do t’i kërkoja çdo amerikani që të shfaqte interes personal për të njohur më mirë veteranët në komunitetet e tyre."

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në koncertin falas, që nderoi veteranët e Amerikës në nivel kombëtar. Spektakli solli rrëfimet e tyre në ekranin e madh dhe nderoi heroizmin e tyre përballë miliona njerëzve që e ndoqën në shtëpi, apo jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG