Lidhje

Nju Jork, rindërtimi i parkut të ishullit Coney


Tetorin e kaluar, Uragani Sandy goditi brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara me erëra të fuqishme, fryrje të detit dhe përmbytje, duke kërcënuar jetën dhe pronën e mijëra njerëzve që jetojnë dhe punojnë në zona bregdetare si ishulli Coney në Bruklin. Disa nga të dëmtuarit ishin dhe pjesëtarët e familjes Vourderis, të cilët gjatë dimrit pastruan, projektuan sërish dhe rindërtuan parkun e lojërave në pronësi e tyre në ishullin Coney, duke e rihapur kohët e fundit.

Për më shumë se një shekull, Coney Island ka qenë i njohur si një vend për argëtim, qetësim dhe aktivitete në bregdet. Por ky vend i bukur u kthye në një ankth për familjen Vourderis më 29 tetor, kur një dallgë gjigante përmbyti parkun e tyre të lojërave. Karuseli i tyre një-shekullor dhe Shtëpia e Frikës, e ndërtuar në vitin 1955, pothuajse u shkatërruan.

"Kur erdhëm këtu dhe pamë shkatërrimin, ishte sikur, në mënyrë figurative, të shihje vdekje."

Deno Vourderis është punëtor i brezit të tretë i këtij biznesi në pronësi familjare.

"Them si një vdekje, në mënyrë figurative, për shkak se shumë gjëra kanë histori."

Por familja vendosi t’i rindërtojë. Deno punoi me një grup prej pesë vetësh që ka njohur që kur ishte i vogël. Ata ndihmuan babanë e tij, bashkëpronarin Steve Vourderis, i cili drejtoi procesin e pastrimin dhe restaurimit.

Vëllai i Steve-it Dennis Vourderis u mor me logjistikën dhe financat. Ai tha se familjes i ishte dashur të merrte hua një shumë të madhe parash për të paguar për riparimet dhe pajisjet e reja.

"Gjëja më e dhimbshme është kur ke të bësh me një pajisje të vjetër që ka qenë këtu për 70 apo 80 vjet dhe ishte nën ujë. Ti e di që nuk mund të riparohet dhe është diçka veçanërisht e dhimbshme ta hedhësh."

Pas tre muajsh pune intensive, karuseli është riparuar, kuajt e vegjël janë gati dhe “banorët” e Shtëpisë së Frikës janë restauruar ose zëvendësuar. Familja Vourderis mendon se janë gati për ditën e hapjes së parkut të argëtimit në ishullin Coney.

"Mbajtëm disa nga pajisjet e vjetra, por shumë prej tyre janë të reja. Pjesët mekanikë janë të gjitha të reja dhe ka elementë të rinj tek Shtëpia e Frikës. Pra, në qoftë se do të vini këtë verë do të keni shumë gjëra të reja për të parë."

Rilindja e qendrës së argëtimit Coney Island u bë realitet disa javë më parë, kur disa personalitete dhe njujorkezë u mblodhën së bashku për ditën e hapjes. Atë ditë, familja Vourderis ofroi argëtim falas.

"Jam shumë i lumtur. Gjithçka shkoi siç duhej. Të gjitha lojërat janë tashmë funksionale. Karuseli punon 100 për qind. Prandaj jam shumë i lumtur."

Pjesa më e madhe e gjërave që u shkatërruan nga Uragani Sandy janë rindërtuar. Megjithatë, mund të thuhet me siguri se askund tjetër rezultatet nuk janë kaq argëtuese.
XS
SM
MD
LG