Lidhje

Flamuri i Konfederatës në SHBA


Udhëheqës politikë dhe fetarë në Karolinën e Jugut dhe më gjerë, po bëjnë thirrje për heqjen e flamurit të fushëbetejës së Konfederatës nga parlamenti vendor në Columbia, si shenjë nderimi për nëntë zezakët e vrarë në Charleston javën e kaluar. Për shumë njerëz në shtetet jugore, flamuri i Konfederatës përfaqëson një simbol të nderuar të historisë së tyre, por po shihet gjithnjë e më shumë edhe si një simbol i skllavërisë dhe i racizmit.

E rrethuar nga udhëheqës politikë dhe fetarë, guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, trajtoi çështjen përçarëse të flamurit të Konfederatës:

“Sot ndodhemi këtu në një moment bashkimi, pa vullnet të keq, për të thënë se është koha të hiqet flamuri nga territori i parlamentit.”

Fotografi të Dylan Roof-it, i cili akuzohet për vrasjen e nëntë besimtarëve në kishën afrikano-amerikane në Charleston, e tregojnë atë duke valëvitur një flamur të Konfederatës dhe duke djegur një flamur të Shteteve të Bashkuara. Zonja Haley pranoi se flamuri simbolizon gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, dhe tha se amerikanët janë sigurisht të lirë ta vendosin në pronën e tyre private:

“Për shumë njerëz në shtetin tonë, flamuri i Konfederatës përfaqëson tradita që janë fisnike, tradita historike, të trashëgimisë dhe të paraardhësve tanë. Vrasësi i mbushur me urrejtje që masakroi vëllezërit dhe motrat tona në Charleston, ka një këndvështrim të marrë të flamurit tonë.”

Udhëheqës fetarë u bënë thirrje ligjvënësve për të votuar pro heqjes së flamurit.

“Ka ardhur koha që Asambleja e Përgjithshme të bëjë atë çka duhet ta kishte bërë kohë më parë, që do të ishte heqja e këtij simboli përçarjeje dhe madje për disa, simbol i terrorizmit.”

Kryetari i bashkisë në Charleston, Joseph Riley, iu bashkua thirrjeve për heqjen e flamurit, duke thënë se e ka vendin në muzeum, ku mund të shikohet në kontekstin e duhur. I shpalosur në një vend publik, ky simbol historik jep mesazhin e gabuar, tha ai.

“I kërkoj me respekt Asamblesë së Përgjithshme të ndërmarrë hapat për t’i dhënë fund kësaj gjëje.”

Presidenti amerikan Barack Obama u shpreh se flamuri i Konfederatës e ka vendin në muzeum, por është e drejta e shtetit të Karolinës së Jugut të vendosë për këtë çështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG