Lidhje

Përdhunimet në Amerikë


Sulmet seksuale ndodhin në vende në mbarë botën. Lajmet e fundit për përdhunime në grup në Indi dhe të dhunës seksuale në universitetet amerikane e ka risjellë këtë çështje në vëmendje. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, njofton në lidhje me mënyrat se si amerikanët po përballen me problemin, që nga vetëndërgjegjësimi, aktivizmi në kampuset universitare dhe deri tek inciativat në nivelet më të larta të qeverisë.

Lindsay Aramayo është regjistruar në një kurs vetëmbrojtjeje në një kolegj në rrethinat e Uashingtonit.

“Kjo klasë është shumë e dobishme për mua pasi mësoj se çfarë ndodh në kampuset e tjera, dhe se si të mbroj vetveten.”

Është e lehtë të mirëkuptosh pse vajzat duan të mësojnë aftësi vetëmbrojtjeje.

Sipas një studimi të sapobotuar nga Departamenti i Drejtësisë, gjatë periudhës 1995 dhe 2013, vajzat e moshave 18-24 vjeç kanë pësuar nivelin më të lartë të sulmeve seksuale dhe përdhunimit krahasuar me të gjitha grupmoshat e tjera.

Shumë nga këto sulme ndodhin në kolegjet dhe universitetet amerikane.

Përkrahësi i masave të sigurisë në kampuset universitare, Daniel Carter, thotë se ndërkohë që vetëmbrojtja është vërtet një element i rëndësishëm i parandalimit të sulmeve seksuale, ajo nuk trajton thelbin e problemit.

“Duhet të ndryshojmë kulturën që toleron fenomenin dhe që u mundëson autorëve të veprojnë sërish në të ardhmen, ndërkohë që shoqëria kthen kokën në anën tjetër.”

Kassie Edwards është dakort.

Në tetor 2008, ajo u sulmua seksualisht në universitetin e saj në Florida ndërkohë që punonte në bilbiotekë.

“Kisha një sasi librash të cilat po bëhesha gati t’i vendosja nëpër rafte, dhe vura re se një mashkull me kapuç në kokë ndodhej në të njëjtin kat. Nuk u mendova shumë dhe u drejtova drejt raftit për të vendosur librat, ndërkohë që ai më ndoqi pas, më shtrëngoi rrotull qafës dhe më rrëzoi në tokë.”

Znj. Edwards e raportoi sulmin në polici, por autori nuk u kap. Ai përdhunoi edhe tre femra të tjera përpara se të arrestohej për vrasjen e të dashurës së tij.

Që kur u sulmua, znj. Edwards ka kontaktuar viktima të tjera përdhunimi.

“Mendoj se fakti që unë shprehem, ndihmon viktimat e tjera të kuptojnë se nuk është diçka për të cilën duhet të kemi turp.”

Znj. Edwards ka punuar gjithashtu me administratën e Presidentit Obama që ka filluar një fushatë, ItsOnUs.org, për t’i dhënë fund sulmeve seksuale në kampuset universitare të Amerikës.

Njoftimi për fushatën është bërë edhe nga yje të kinemasë, muzikantë dhe politikanë, përfshirë dhe presidentin.

“Megjithë pçrparimin, fakti qëndron se në sporte, muzikë dhe politikë, shoqëria jonë nuk vlerëson gratë sa duhet. Ende nuk i dënojmë me forcën e duhur sulmet seksuale. Gjejmë justifikime dhe kthejmë kokën në drejtimin tjetër. Mesazhi që dërgohet ka një efekt shumë negativ për vajzat tona.”

Ndërkohë që vazhdon të debatohet çështja e sulmeve seksuale, ekziston shpresa se një ditë gratë dhe vajzat do të munden të ecin pa frikë në rrugët dhe kampuset e Amerikës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG