Lidhje

SHBA: Fillon punën Kongresi i ri i 113


Në Shtetet e Bashkuara sot filloi punën Kongresi i ri, i 113, i dalë nga zgjedhjet e nëntorit. Ligjvenësit e rinj do të ndeshen shumë shpejt me një problem të vjetër, të trashëguar nga viti i kaluar, niveli i lartë i borxhit, si dhe me dy probleme të tjera po aq delikate, kontrolli i shitjes së armëve dhe reforma e imigracionit.

Në seancën parë, pas betimit, shumica republikane në Dhomën e Përfaqësueve rizgjodhi ligjvenësin nga Ohajo, John Boehner si kryetar. Sipas ligjit amerikan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është i dyti në radhë, pas nënpresidentit Joe Biden, për të zëvendësuar presidentin.

113 Congress - House
113 Congress - House
Në Kongresin e ri bëjnë pjesë edhe ligjvënës që mbështesin çështjet shqiptare si Eliot Engel dhe Robert Aderholt. Të dy ata janë bashkëkryetarë të grupit të çështjeve shqiptare. Nga ky grup ku bëjnë pjesë 23 ligjvënës, e vetmja që nuk u rizgjodh në legjislaturën e re ishte zonja Jean Schmidt e shtetit Ohio.
Ceremonia e betimit të senatorëve të rinj dhe atyre të rizgjedhur, u zhvillua edhe në Senat, nën drejtimin e nënpresidentin Joe Biden.

Legjislatura që sapo u mbyll, e cila është cilësuar si një nga më të paefektshmet, e përfundoi punën duke miratuar ligjet e reja të debatueshme, që rritën taksat për të pasurit dhe shmangën shkurtimet e thella buxhetore, të cilat mund ta kishin futur vendin në recesion. Por kongresi i ri, duhet të zgjidhë tani çështjet e tavanit të borxhit prej 16.4 trilionë dollarësh, një kufi që u arrit në fillim të kësaj jave.

Qeveria thotë se ka fonde për të paguar faturat edhe për dy muaj, por për më tej, do të ketë nevojë të marrë borxhe të tjera, çka nënkupton ngritjen e tavanit të borxhit. Në se kjo nuk ndodh, do të ishte hera e parë në histori që qeveria amerikane nuk do të ishte në gjendje të përmbushte detyrimet e veta financiare.

Kongresi i ri do të ketë të njejtën balancë pushteti, republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me 235 ligjvenës nga 199 që kanë demokratët, ndërsa demokratët që kontrollojnë Senatin duke patur 55 anëtarë nga 45 që kanë republikanët.

XS
SM
MD
LG