Lidhje

Kongresi dhe autorizimi kundër Shtetit Islamik


Ndërsa një seri sulmesh ajrore amerikane godasin militantët e Shtetit Islamik, kryetari Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, thotë se ai është i gatshëm të thërrasë Kongresin në një sesion të posaçëm për të debatuar rreth dhënies ssë autorizimit presidentit për përdorimin e forcës ushtarake. Kjo ndodh 10 ditë pasi ligjvënësit amerikanë kanë lënë Uashingtonin për një pushim 7 javor në prag të zgjedhjeve për në Kongresin

Çdo ditë sjell sulme të reja ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër pozicioneve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Por Uashingtoni, është jashtëzakonisht i qetë, ndërsa ligjvënësit bëjnë fushatë për zgjedhjet e nëntorit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner thotë se presidenti Obama e ka autoritetin për të urdhëruar sulme ushtarake kundër Shtetit Islamik. Por Presidenti, thotë ai, duhet të kërkojë autorizim gjithpërfshirës nga Kongresi.

“Presidenti nuk e ka bërë këtë. Ai beson se ka autoritetin në bazë të rregullave egzistuese. Mendoj se ai nuk e ka këtë. Por mendoj se ky propozim duhet të shqyrtohet nga Kongresi.”

Pikërisht kjo çështje u shtrua javë më parë nga demokrati Robert Menendez i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Sulmet e përkohshme ajrore në Irak dhe Siri janë kompetencë e presidentit. Por nëse fushata ushtarake zgjat përtej një periudhe kohore, që mendoj se do të ndodhë, besoj se Kongresi do të duhet të miratojë një autorizim specifik për përdorimin e forcës ndaj Shtetit Islamik.”

Në fillim të muajit, ligjvënësit miratuan një element të planit ushtarak të presidentit; furnizimin dhe trajnimin e rebelëve sirianë. Administrata thotë se Kongresi është i lirë të bëjë më shumë. Sekretari i Shtetit John Kerry:

“Le ta miratojë Kongresi, do të ishte gjë e mirë. Por nuk do të ngecim vendnumëro nëse kemi apo jo autoritetin për të vepruar për ato që besojmë se duhet bërë për të mbrojtur vendin.”

Por pa një kërkesë zyrtare nga presidenti, Kongresi nuk ka gjasa të rimblidhet deri pas zgjedhjeve të nëntorit. Por fushata ajrore vazhdon. Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel.

“Së bashku me Francën, kemi zhvilluar 200 sulme ajrore në Irak kundër militantëve në mbështetje të irakianëve. Me partnerët arabë kemi kryer 43 sulme ajrore në Siri.”

Sekretari Hagel citoi shtimin e aleatëve në NATO që kanë shfaqur synimet për të marrë pjesë në përpjekjet për të dobësuar dhe shkatërruar Shtetin Islamik.

XS
SM
MD
LG