Lidhje

Fillon shqyrtimi i kompromisit për buxhetin 2014


Ligjvenësit amerikanë po fillojnë të shqyrtojnë kompromisin për buxhetin e vitit 2014, i cili në se miratohet, do të shmangte mbylljen e qeverisë përsëri, por nga ana tjetër, ai nuk u jep zgjidhje problemeve afat-gjata financiare me të cilat ndeshet vendi.

Ligjvenësit demokratë dhe republikanë u takuan të mërkurën për të analizuar hollësitë e buxhetit. Plani i kompromisit u hartua nga një grup pune me ligjvenës nga të dyja partitë, që kishte si synim kryesor të shmangte një ballafaqim tjetër buxhetor si ato që kanë mbizotëruar politikën e Uashingtonit gjatë viteve të fundit. Në tetor qeveria u mbyll pjesërisht për 16 ditë. Kongresi më pas miratoi fondet për buxhetin e shtetit, por deri më datën 15 janar.

Kompromisi i arritur të martën, pasoi disa javë negociatash mes senatores demokrate Patty Murray dhe ligjvenësit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.
Propozimi i tyre përcakton një buxhet prej 1 trilionë dollarësh për vitet financiare 2014 dhe 2015.

Ky buxhet është më i lartë se sa kishte parashikuar fillimisht Kongresi, por po ashtu përmban edhe shkurtime që do të realizoheshin gjatë dekadës së ardhshme.
Kompromisi gjithsesi, parashikon vetëm shkurtime modeste të borxhit në rritje afat-gjatë prej 17 trilionë dollarësh. Po ashtu ai nuk parashikon reformimin e sistemit kompleks të taksave apo të sistemit shëndetësor dhe atij të pensioneve.

Disa ligjvenës konservatorë e kritikuan menjëherë planin pasi ai nuk i shkurton shpenzimet buxhetore aq sa do të dëshironin ata.
XS
SM
MD
LG