Lidhje

Akti ekzekutiv për imigracionin nën sulmet e ligjvënësve

  • Cindy Saine

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson i doli në mbrojtje urdhërit ekzekutiv të Presidentit Obama për imigracionin kur iu përgjigj dje pyetjeve të ligjvënësve në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare. Korrespondentja Cindy Saine njofton se revoltimi i Partisë Republikane ndaj asaj që e shikon si një akt që tejkalon kompetencat e ekzekutivit, mund të diktojë fatin e një projektligji për financimin e qeverisë federale që duhet miratuar deri më 11 dhjetor.

Aktivistë të të drejtave të imigrantëve festuan muajin e kaluar para Shtëpisë së Bardhë, pasi Presidenti Obama njoftoi se do të merrte masa ekzekutive për të mbrojtur rreth 4 milionë imigrantë pa dokumenta nga deportimi, nëse paraqiteshin për t’u regjistruar.

Dje në Kongres, akti presidencial u prit ndryshe. Ligjvënës republikanë i drejtuan pyetje Sekretarit të Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson lidhur me ligjshmërinë e këtij akti. Sekretari Johnson i doli në mbrojtje aktit:

“Fakti është se me burimet e kufizuara që kemi, këta individë nuk konsiderohen si prioritet për deportim. Ka ardhur koha të pranojmë këtë fakt dhe t’i nxisim ata të jenë pjesë e shoqërisë. Është thjesht e logjikshme”.

Republikanët në komision thanë se akti ekzekutiv mund të nxisë shumë të tjerë të futen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Por zoti Johnson fajësoi Dhomën e Përfaqësuesve që nuk kishte miratuar një projektligj për imigracionin, siç u bë në Senat. Komenti solli këtë shkëmbim mes Sekretarit Johnson dhe ligjvënësit republikan Jeff Duncan:

“Do të doja të punoj me Kongresin për miratimin e ligjit. Edhe presidenti e ka thënë se kjo do të ishte zgjidhja e preferuar. Problemi qëndron në faktin se s’kemi partnerë në Kongres”.

"Mendoj se Kongresi mund të miratojë një ligj kur populli amerikan të rifitojë besimin se administrata po bën punën dhe po zbaton ligjet që ekzistojnë”.

Po dje, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner u takua me ligjvënës republikanë për të diskutuar përgjigjen ndaj urdhërit ekzekutiv të presidentit:

“Po analizojmë një numër opsionesh për reagimin tonë. Ky akt përbën një shkelje serioze të Kushtetutës, është një kërcënim serioz ndaj sistemit tonë të qeverisjes. Ta themi hapur, ne kemi opsione të kufizuara për t’iu përgjigjur direkt, prandaj po diskutojmë me ligjvënësit. Ende nuk kemi marrë vendim si do të veprojmë, por do të veprojmë”.

Analistët thonë se zoti Boehner duket i prirur për të gjetur mënyrën që republikanët të shprehin revoltimin e tyre, por pa penguar projektligjin për buxhetin qeveritar në mënyrë që të shmanget mbyllja e qeverisë që ndodhi në tetor 2013.

XS
SM
MD
LG