Lidhje

Kongresi dhe marrëveshja bërthamore me Iranin


Sekretari i Shtetit John Kerry dhe zyrtarë të tjerë të administratës po fillojnë këtë javë një raund të ri konsultimesh me anëtarë të Kongresit në lidhje me negociatat bërthamore me Iranin. Disa ligjvënës janë deklaruar haptazi kundër marrëveshjes së arritur këtë muaj, duke thënë se udhëzimet për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit janë të paqarta dhe se plani nuk ofron siguri se Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore. Por, Sekretari Kerry e mbështeti planin gjatë një sërë intervistash në emisionet televizive.

I sapokthyer nga Samiti i Amerikave në Panama, zoti Kerry po përqëndrohet tashmë tek Kongresi dhe ligjvënësit skeptikë për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Do ta lë marrëveshjen përfundimtare të flasë vetë.”

Ai u bëri thirrje kritikëve në Kongres “të ruajnë fishekët” për momentin kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare.

“Nëpërmjet asaj ç’kemi arritur me marrëveshjen paraprake dhe ç’ka ajo parashtron, mendoj se kemi fituar të drejtën ta përmbushim këtë proçes pa ndërhyrje dhe sigurisht pa politika partiake.”

Të martën, një panel i Senatit do të diskutojë një projekt-ligj tepër të të debatuar që do t’i kërkonte presidentit t’i lejonte Kongresit rishikimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Bashkëautori i projekt-ligjit, Senatori Bob Menendez, premtoi ta vazhdojë përpjekjen e tij.

“Të luftojmë për sigurinë tonë kombëtare dhe kundër një Irani të armatosur me armë bërthamore, është ajo çfarë kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë.”

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore të përfshira në bisedimet bërthamore me Iranin vazhdojnë të përballen me skeptikë edhe në skenën ndërkombëtare, përfshirë Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili i paralajmëroi negociatorët të mos i bëjnë “lëshime të rrezikshme” Iranit.

“Nuk duhet ta lejojmë Iranin, vendin kryesor që mbështet terrorizmin, të fitojë një rrugëtim të lehtë drejt armëve bërthamore që do të vënë në rrezik të gjithë botën.”

Irani po kërkon një marrëveshje që do të heqë sanksionet. Fuqitë botërore po kërkojnë kufizime që do të sigurojnë se programi bërthamor i Iranit do të jetë paqësor.

Kostoja është e madhe për SHBA-në, si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar, ndërkohë që negociatorët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përpara arritjes së afatit të qershorit.

XS
SM
MD
LG