Lidhje

SHBA: Sfidat e përdorimit të medias sociale nga anëtarët e Kongresit


Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëruan udhëheqësit republikanë për përplasje të mundshme rreth rregullave të reja që gjobisin ligjvënësit që përdorin median sociale si Facebook Live dhe Periscope për të transmetuar veprimet që ndodhin në Dhomën e Përfaqësuesve. Gjobat janë një përgjigje direkte ndaj protestës së verës së kaluar kur ligjvënësit u ulën në dyshemenë e sallës për të kërkuar rregulla më të forta për shitblerjen e armëve dhe demokratët përdorën median sociale për të transmetuar drejtpërdrejt mesazhin e tyre tek publiku.

Verën e kaluar u bë e qartë se Kongresi nuk po ecte me të njëjtin hap me teknologjinë.

Demokratët sfiduan rregullat dhe kur kundërshtarët e tyre republikanë fikën kamerat për të mos shfaqur protestën, ligjvënësi Scott Peters mori telefonin e tij dhe e transmetoi atë live.

“Njerëzit në mbarë botën ishin në gjendje të shihnin atmosferën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ishte një moment i shënuar në historinë e qeverisë amerikane.”

Momentin kur udhëheqja republikane mori drejtimin e kongresit të 115-të shpresat janë të pakta që kjo të ndodh përsëri… Sipas rregjullave, pajisjet elektronike kanë qënë gjithmonë të ndaluara të përdoren në sallë dhe tani përdorimi i tyre mbart një gjobë deri në 2 mijë e 500 dollarë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan thotë se ndryshimet ndihmojnë për të mbajtur rregull në mënyrë që ligjvënësit të bëjnë punën që i ka caktuar populli.

Por John Lewis, drejtuesi i protestës së verës së kaluar, thotë se gjoba shkel të drejtën e lirisë së fjalës….

“Asnjë kongres, asnjë organizatë apo komision nuk ka pushtetin të na tregojë se nuk mund të çohemi, të flasim e të themi të vërtetën. Ne kemi të drejtën të mos pajtohemi. Kemi të drejtën të protestojmë për atë që është e drejtë.”

Ndërsa amerikanët kërkojnë më shumë transparencë nga qeveria, dhe votuesit e rinj e kanë bërë median sociale më të përdorshme, kongresit i duhet të gjej një kompromis.

“Kjo lloj lidhje (e medias sociale) është e menjëherëshme. Udhëheqja e re jo vetëm që nuk e vlerëson atë, por nuk e pranon. Nuk po gjen rrugëzgjidhje por po e ndalon ”, thotë kongresmeni Peters.

Dhe tani që presidenti i zgjedhur po përdor Twitter-in si metodën e tij kryesore të komunikimit me publikun amerikan, mund të jetë shumë vonë për t’i ndarë politikanët nga media sociale thotë analisti Josh Crandall.

“Ndërsa bota bëhet më dinamike, kongresi dhe udhëheqësit tanë duhet të mendojnë për mënyra për ta thjeshtuar rrugën me të cilën qeveria komunikon me publikun.”

Dhe me një kongres të kontrolluar nga republikanët që kërkojnë të bëjnë ndryshime të mëdha, demokratët mund të kthehen së shpejti nga media sociale megjithë gjobat e reja…

“Në se nuk ka mënyra të tjera për të zgjidhur këtë ngërç dhe çështjet e tjera që janë të rëndësishme, mendoj se do ta shohim përsëri këtë veprim”, thotë ligjvënësi Scott Peters.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG