Lidhje

SHBA: Fillojnë seancat dëgjimore në Kongres për ndërhyrjen në Siri


Zyrtarët më të lartë amerikanë të diplomacisë dhe të mbrojtjes, dëshmojnë sot para një komisioni të Senatit, lidhur me kërkesën e Presidentit Barack Obama për të autorizuar ndërhyrje ushtarake në Siri. Sekretari i Shtetit John Kerry, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Shefi i Shtatmadhorisë Martin Dempsey, priten të flasin para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zoti Obama ka kërkuar miratimin e kongresit para se të ndërmarrë një goditje ushtarake ndaj Sirisë për përdorimin e armëve kimike ndaj civilëve për të cilin akuzohet qeveria siriane. Senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham, dy përkrahës së idesë se një ndërhyrjeje të fuqishme kundër Sirisë, u takuan me zotin Obama në Shtëpinë e Bardhë dje.

“Nëse Kongresi nuk e miraton një rezolutë të tillë, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara është angazhuar se do të veprojë, pasojat do të ishin katastrofike pasi besueshmëria e këtij vendi si me miqtë ashtu edhe me armiqtë do të dëmtohej, dhe kjo nuk do të kishte pasoja vetëm për këtë administratë, por edhe për administratat e ardhshme."

Senatorët McCain dhe Graham kritikuan administratën e zotit Obama që nuk veproi më herët në Siri, duke armatosur kryengritësit. Senatorët thanë se ushtria siriane ka marrë armë nga Rusia dhe Irani për dy vjet, duke e bërë luftën të pabarabartë.

Ndërkohë, dy ligjvënës rusë u takuan dje me Presidentin Vladimir Putin lidhur me perspektivën e dërgimit të një delegacioni parlamentar në Uashington për t’u kërkuar homologëve amerikanë që të mos mbështesin ndërhyrje ushtarake në Siri.

“Deputetët e Këshillit Federal dhe Dumës shprehin shqetësim të madh lidhur me situatën në Siri. Ne jemi plotësisht dakord me politikën që ju po ndiqni për të mos lejuar ndërhyrje pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, pa një rezolutë të OKB-së, pa pasur arsye për të ndërhyrë, që do të thotë të mos shkelet ligji ndërkombëtar. E kemi fjalën për deklaratën e Presidentit amerikan se ai do të kërkojë miratimin e Kongresit për një goditje të mundshme ndaj Sirisë. Ne mendojmë se parlamentet e vendeve tona duhet të kontribuojnë në mënyrë më aktive”, tha Valentina Matvienko, një anëtare e Këshillit e të Federatës Ruse.

Zoti Putin e cilësoi idenë si “në kohën e duhur dhe të drejtë”. Rusia, një aleate e Sirisë e ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e provave të Shteteve të Bashkuara se qeveria e Presidentit Bashar al-Assad ka përdorur armë kimike ndaj civilëve.

Në një intervistë me gazetën franceze Le Figaro, zoti Assad e i mohon akuzat se ushtria e tij ishte përgjegjëse për përdorimin e gazit helmues.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon do të informojë anëtarë të Këshillit të Sigurimit sot për zhvillimet e fundit në Siri.

XS
SM
MD
LG