Lidhje

Conway: Trump nuk do t’i vazhdojë hetimet ndaj znj. Clinton


Këshilltarja e lartë e zotit Trump, Kellyanne Conway, tha të martën se presidenti i ardhshëm nuk synon t'i vazhdojë hetimet ndaj rivales demokrate Hillary Clinton për përdorimin e emailit privat në kohën që shërbente si sekretare shteti.

Gjatë fushatës elektorale zoti Trump u zotua më se një herë, siç shprehej ai, "ta fuste atë në burg". Zonja Conway tha të martën se zoti Trump nuk ka dëshirë të vazhdojë me ngritjen e këtyre akuzave.

Në një intervistë për kanalin televiziv “MSNBC”, zonja Conway tha se “Hillary Clintonit gjithsesi i duhet të përballet me faktin se shumica e amerikanëve nuk e sheh atë si të besueshme, por nëse zoti Trump e ndihmon që ta lërë pas këtë çështje, ndoshta kjo është diçka pozitive.

Një urdhër nga presidenti i zgjedhur Trump drejtuar zyrtarëve amerikanë të zbatimit të ligjit për të mos hetuar zonjën Clinton do të ishte i pazakontë. Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët federalë të zbatimit të ligjit konsiderohen si të pavarur nga ndërhyrjet politike nga Shtëpia e Bardhë.

Përdorimi i serverit privat nga ana e zonjës Clinton, ishte një nga çështjet kryesore të fushatës. Shumë nga anketat tregonin se shumë nga votuesit nuk i besonin shpjegimet e saj për shkëmbimin e dhjetra mijëra emaileve kur ishte sekretare shteti, dhe e kishin vënë në diskutim besueshmërinë e saj.

FBI-ja kreu një hetim të gjatë, por pa ngritur përfundimisht akuza. Njëmbëdhjetë ditë para zgjedhjeve, drejtori i FBI-së, deklaroi se hetuesit po i rishikonin emailet, që ishin gjetur në kompjuterin e bashkëshortit të ndihmëses së zonjës Clinton, Huma Abedin. Por dy ditë para zgjedhjeve ai deklaroi se nuk ishte gjetur asgjë e re.

Zonja Clinton dhe mbështetësit e saj kanë thënë se njoftimi i zotit Comey luajti rol në humbjen e saj. Por analistët politikë thonë se faktori kryesor ishte paaftësia e zonjës Clinton për të bërë për vete votuesit e bardhë të shtresës punëtore në zonat industriale të pjesës qendrore të vendit.

XS
SM
MD
LG