Lidhje

Shtohen tensionet mes dy Koreve


Zyrtarë amerikanë të mbrojtjes thonë se stërvitja vjetore e forcave ushtarake amerikane dhe jugkoreane u ndërpre përkohësisht për të mos ndikuar më tej në tensionet midis Koresë së Veriut dhe të Jugut – të cilat janë rritur në mënyrë dramatike dhe e kanë bërë Penianin të deklarojë se ndodhet në një gjendje “pothuajse lufte”.

Koreja e Veriut vazhdimisht i dënon stërvitjet vjetore ushtarake të dy aleatëve dhe shpesh thotë se këto stërvitje janë një deklaratë lufte kundër saj, por zakonisht stërvitjet e përbashkëta vazhdojnë sipas planifikimit.

Por këtë javë, Ndihmës Sekretari amerikan i mbrojtjes për çështjet e Azisë dhe Paqësorit, David Shear, tha se stërvitja u pezullua të enjten, pasi Koreja e Veriut dhe e Jugut shkëmbyen zjarr artilerie pranë kufirit të tyre. Pas kësaj, tha zoti Shear, stërvitja ushtarake "rifilloi siç ishte planifikuar," ndërkohë që SHBA po i vëzhgojnë nga shumë afër tensionet në gadishullin Korean.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vendosi forcat e tij ushtarake në gatishmëri të lartë të premten dhe tha se njësitë e vijës së frontit "do të hynin në gjendje lufte” brenda disa orësh.

Peniani ka bërë deklarata të ngjashme gjatë periudhave të tensionuara të marrëdhënieve dypalëshe në vitin 2010 dhe 2013, si dhe në raste të tjera. Të dy vendet kanë qenë gjithmonë teknikisht në gjendje lufte, sepse armëpushimi i viti 1950 që i dha fund konfliktit mes tyre nuk u kthye asnjëherë në një traktat paqeje.

Koreja e Veriut ka kërcënuar gjithashtu se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Jugut nëse Seuli nuk heq altoparlantët përgjatë kufirit që kanë rifilluar propagandën kundër Penianit pas një qetësie prej 11 vjetësh. Koreja e Jugut ka deklaruar se do t’i vazhdojë transmetimet.

XS
SM
MD
LG