Lidhje

Thatësira detyron fillimin e hershëm të korrjes së misrit


Parashikimet për prodhimet e misrit dhe sojës po përkeqësohen nga dita në ditë dhe kjo do të ketë pasoja globale

Kushtet më të këqija të thatësirës në 20 vjetët e fundit i kanë detyruar fermerët amerikanë të shkojnë në fushat e tyre më herët për korrjen e misrit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh nga shteti Illinois, gjendja e keqe e misrit ka pakësuar fitimet e fermerëve dhe po shkakton rritjen e çmimeve globale.

E vetmja gjë që fermeri Bruce Nation sheh në arat e tij me misër në Taylorville të Illinoit është dhimbje.

Kallinjtë e misrit në arat e tij janë shumë më të vegjël këtë vit për shkak të thatësirës, që do të thotë se sasia e shitjes së misrit do të jetë më e vogël për të.

Bruce Nation përballet edhe me rrezikun që vjen nga mbjellja e misrit sepse kostoja farës dhe plehut artificial është më e lartë se më parë:

“Jemi në mëshirën e natyrës. Disa njerëz më pyesin pse unë nuk rrezikoj. Unë rrezikoj çdo ditë. Kështu është kur merresh me bujqësi”.

Ndërkohë që ai fillon korrjen e të lashtave, këtë vit rreth një muaj përpara afatit për shkak të thatësirës, fermeri Nation po përjeton rreziqet në kohë reale. Falë një lidhje interneti në traktorin e tij, ai ndjek nga afër ndryshimet e çmimit për misrin dhe sojën e tij.

“Unë ndjek ndryshimet e çmimit çdo ditë. Kam një konsulent që më ndihmon në marketing, ai i ndjek ato çdo orë”.

Edhe tregtarët në bursën e mallrave në Çikago po përcjellin nga afër ndryshimin e shpejtë të çmimeve, duke përfshirë ekspertin Mathew Pierce.

“Shqetësimet për thatësirën janë rritur edhe më shumë me afrimin e kohës së korrjeve, dhe disa nga të dhënat e fermerëve tregojnë se ka shumë më tepër dëme se sa pritej një muaj më parë”.

Zoti Pierce thotë se parashikimet për prodhimet e misrit dhe sojës po përkeqësohen nga dita në ditë, dhe kjo do të ketë pasoja globale.

“Eksportet amerikane janë duke u pakësuar nga dita në ditë. Kina, Japonia, Korea e Jugut dhe Meksika do të jenë drejtpërdrejtë të prekura nga kjo”.

“Çmimi i misrit dhe sojës është më i larti i të gjitha kohërave dhe do të ketë ndikim afatgjatë. Të gjithë do ta ndjejnë këtë efekt”.


Duke përfshirë edhe fqinjët e fermerit Nation. Ai thotë se ata do të shohin një rritje në çmimin e artikujve ushqimorë në rreth gjashtë muaj.

Por, pavarësisht nga vështirësitë me të cilat po përballet, Bruce Nation nuk e quan thatësirën e këtij viti një fatkeqësi.

Aty pranë ai i ka arat me sojë. Me pak ndihmë nga nëna natyrë në formën e shiut, dhe puna e Bruce-t do të shpërblehet.
XS
SM
MD
LG