Lidhje

Korrupsion në dy të tretat e botës


Transparency International ka botuar rezultatet e anketës mbi Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2012 në 176 vende të botës

Revoltimi që zgjojnë problemet e udhëheqjes dhe korrupsioni është bërë shkas për demonstrata masive dhe ka rrëzuar disa qeveri. Por një anketë e re e realizuar nga organizata Transparency International në shkallë botërore tregon se megjithë kritikat ndaj këtyre fenomeneve dhe ndryshimet që janë realizuar deri tani, problemi i korrupsionit nuk po zhduket.

Është një ditë e zakonshme pune për kamboxhianin Chum Van, që nget një motoçikletë-taksi në rrugët e Pnom Penit. Si zakonisht, korrupsioni është një shqetësim i përditshëm.

Padurimi i tij ndërkaq po shtohet:

“Problemi shfaqet kur ka aksidente rrugore. Shoferët që kanë para, paguajnë policinë, e cila i mbështet dhe ia hedh fajin shoferit që nuk jep rryshfet”.

Një mllef i ngjashëm shprehet edhe nga të tjerë. Organizata Transparency International botoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 ku analizon 176 vende me pikavarazh 0-100, ku zero tregon nivelin më të lartë të korrupsionit. Më shumë se dy e treta e vendeve, përfshirë Kamboxhian, renditen si disi deri në shumë të korruptuara. Ndër më problematiket janë Somalia, Korea e Veriut dhe Afganistani.

Ndoshta revoltimi ndaj korrupsionit nuk është shfaqur askund më dukshëm se në Lindjen e Mesme, ku miliona vetë mbushën sheshet për të rrëzuar regjimet që nga Tunizia e deri në Libi e Egjipt.

Por megjithë ndryshimet e realizuara në postet drejtuese, gjendja në terren mbetet thuajse njëlloj.

Studiuesja Robin Wright pranë Qendrës Woodrow Wilson thotë se rezultati ishte i parashikueshëm:

“Bakshishi është një koncept qendror në jetën e përditshme në Lindjen e Mesme. Ky fenomen nuk ka si ndryshon brenda ditës, sapo u prezantuan parimet demokratike. Një biznesmen libian u shpreh: Dikur kishim një Gadaf, tani kemi 6 milionë”.

Në Azi, ku 68 për qind e vendeve perceptohen si disi ose shumë të korruptuara, reformat e reklamuara me bujë të madhe në Birmani nuk e kanë ndryshuar statusin e këtij vendi si i pesti në renditjen e më të korruptuarve në botë.

Në Evropën që vuan nën peshën e krizës së borxheve, korrupsioni u rrit në vende të goditura më rëndë si Greqia dhe Italia dhe mbetet një problem serioz në Rusi.

Korrupsioni është problem edhe në vende që renditen ndër “më të pastrat”. Në Shtetet e Bashkuara që renditen si vendi i 19 më pak i korruptuar, ka plot raste shqetësuese. Vende të rëndësishme për tregtinë e Shteteve të Bashkuara si Kina dhe Meksika, shfaqin probleme të theksuara në këtë aspekt, gjë që nënkupton se bizneset amerikane shpesh angazhohen në praktika të dyshimta në mënyrë që të operojnë në këto vende.

Në shumë pjesë të botës, korrupsioni godet më rëndë biznesin e vogël. Në këtë dyqan veshmbathjesh në Abuxha të Nigerisë, Ukudi Nawa thotë se korrupsioni është një fenomen i neveritshëm:

“Korrupsioni më rrit koston. Shpesh klientët nuk e kuptojnë. Detyrohesh të ngresh çmimet dhe ata pyesin përse po u kushton kaq shtrenjtë?”

Është një padurim dhe revoltim që shfaqet nga shumë veta dhe që nuk ka të ngjarë të gjejë zgjidhje së shpejti.
XS
SM
MD
LG