Lidhje

Gjendja e korrupsionit në Kosovë


Shefi i Agjencisë Kundër korrupsionit, Hasan Preteni tha të mërkurën se korrupsioni në Kosovë është çështje për të cilën flitet shumë, por që hetohet pak dhe pothuajse mbetet i pagjykuar.

Ai i bëri këto komente gjatë prezantimit të raportit vjetor të luftës kundër korrupsionit. Ai tha se gjatë vitit 2014 Agjencia ka marrë 240 informacione, një pjesë e madhe nga mediet, ndërsa bashkë me rastet e një viti me parë, agjencia ka trajtuar 304 raste. Nga këto, në 131 raste zyrtarët e agjencisë kanë konstatuar se ka bazë të ndjekjes penale dhe kanë ushtruar kallëzime penale kundër 163 personave.

Zoti Preteni tha se dëmi i pretenduar i veprimeve korruptive sillet nga 500 euro deri në një milion e 276 mijë euro.

Ai tha se fusha ku shfaqet më së shumti dukuria e korrupsionit është fusha e prokurimit ku janë konstatuar edhe rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në raportin e fundit e kishte radhitur Kosovën në vendin e 110-të për shkallën e korrupsionit gjatë vitit të kaluar në një tabelë me 175 vende të botës.

XS
SM
MD
LG