Lidhje

Suksesi kundër korrupsionit në Rumani


Rumania është përballur me një epidemi të korrupsionit për vite me radhë, por nën trysni nga jashtë dhe nga vetë qytetarët, zyrtarët po bëjnë përparime të mëdha në frenimin e marrjes së ryshfeteve. Organi kryesor i antikorrupsionit ishte sërish në qendër të vëmendjes mediatike këtë muaj pasi veproi pas akuzave për mitëmarrje nga ana e vëllait të Presidentit Traian Basescu. Siç shihet në materialin e kolegëve tanë të Radios Evropa e Lirë, në përputhje me ndryshimin e klimës mbi këtë çështje në Rumani, presidenti tha se sistemi i drejtësisë duhet të ketë përparësi edhe ndaj besnikërisë së tij për familjen.

"Kur mora një nga fletët, prokurori më tha: "Shkruaj një denoncim." Kjo kumboi fuqishëm në kokën time. Nuk kisha shkruar kurrë një denoncim në jetën time."

Serban Marinescu është një arkitekt me bazë në Bukuresht. Ai dhe ekipi i tij fituan një tender të financuar nga BE-ja për riprojektim të zonave publike në qytetin jugor Ramnicu Valcea. Por kryetari i bashkisë, Emilian Francu, kërkoi atë që e quajti një “tarifë” jozyrtare prej 10 për qind, rreth 20 mijë euro.

"Papritur, të gjitha pasojat u përqendruan tek kjo fjalë, denoncim, sepse do të kishte një gjykim, seanca dhe gjëra të tjera," thotë arkitekti.

Vendimi i zotit Marinescu pati ndikim të fuqishëm. Kryetari i bashkisë që kërkoi rryshfetin po kryen një dënim katër-vjeçar me burg për grabitje.

Organi që hetoi rastin, Drejtoria Kombëtare e Anti-korrupsionit e Rumanisë, ka qenë vazhdimisht në titujt kryesor të lajmeve rumune që nga viti 2005, kur reformat e qeverisë i dhanë kësaj drejtorie autonomi të gjerë brenda sistemit të drejtësisë dhe lejuan prokurorët e saj të vepronin në mënyrë të pavarur.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, ky organ ka dërguar pothuajse 1 mijë persona në gjykatë. Të dënuarit mbi akuza për korrupsion përfshijnë ministra, parlamentarë, gjyqtarë, yje të sportit dhe një ish-kryeministër, Adrian Nastase.

Laura Codruta Kovesi, ish-prokurore e përgjithshme e Rumanisë, u emërua si kryeprokurore e Drejtorisë vitin e kaluar.

"Numri i denoncimeve që kemi marrë pranë Drejtorisë Kombëtare të Anti-korrupsionit është rritur në mënyrë të konsiderueshme vitin e kaluar. Dhe mendoj se arsyeja për këtë është besimi që kanë qytetarët tek aktivitetet tona," thotë ajo.

Zonja Kovesi hedh poshtë akuzat se Drejtoria e Antikorrupsionit është e afërt me presidentin aktual të Rumanisë, Traian Basescu, dhe thotë se kanë hetuar zyrtarë të të gjithë spektrit politik.

"Këtë vit kemi hetuar ministra në detyrë ose anëtarë të qeverive të mëparshme, si dhe anëtarë të parlamentit nga parti të ndryshme. Kështu që mendoj se veprimet tona i hedhin poshtë këto akuza të pabaza."

Hetimet e Drejtorisë së Antikorrupsionit kanë përfshirë edhe familjen e Presidentit. Mediat i kushtuan vëmendje të madhe këtë muaj faktit që autoritetet ndaluan Mirçea Basescun, vëllain e presidentit Traian Basescu. Ai akuzohej se kishte marrë 250 mijë euro, duke premtuar të ndihmonte në uljen e dënimit të një biznesmeni të burgosur për tentativë vrasjeje.

Në një deklaratë në televizion, presidenti Basescu mohoi çdo lloj përfshirjeje në këtë çështje:

"Së fundmi, dua t’ju siguroj se mes nevojës për forcim të sistemit të drejtësisë dhe impulsit të natyrshëm të çdokujt për të mbrojtur vëllanë e vet, unë zgjedh forcimin e sistemit të drejtësisë."

Laura Stefan, analiste e antikorrupsionit, thotë se ky rast është një tregues i rëndësishëm i ndryshimit në peizazhin politik të Rumanisë:

"Në Rumaninë e vitit 2014, kriminelët burgosen, njerëzit e rëndësishëm të vendit përfundojë pas hekurave nëse janë të korruptuar. Kjo është një Rumani ku Traian Basescu, presidenti i vendit, thotë: "Mes vëllait tim dhe drejtësisë, zgjedh drejtësinë." Mendoj se ky është një ndryshim thelbësor dhe gjithashtu një shenjë që tregon se sa e dhimbshme është ndonjëherë të realizosh reformat."

Një moment tjetër vendimtar në përpjekjet e mëparshme antikorrupsion ishte kur në vitin 2012 kryeministri Adrian Nastase u burgos këtu, në burgun Rahova në jugperëndim të Bukureshtit, për praktika të paligjshme në mbledhjen e fondeve. Ai më pas u dënua me kohë shtesë në burg për shantazh dhe pranim ryshfetesh.

"Burgimi i Adrian Nastase-s ishte një tërmet për shoqërinë rumune. Ishte një pikë kthese. Pas tij, shumë të tjerë përfunduan në burg për veprime të ngjashme. Por, para atij momenti, pra në qershor të vitit 2012, ne nuk kishim pasur kurrë dënim të një njeriu kaq të rëndësishëm..., një simbol i pushtetit në Rumani, që dënohej për korrupsion nga një gjykatë rumune, bazuar mbi një çështje të ngritur nga prokurorë rumunë," thotë analistja.

Vëzhguesit thonë se trysnia nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar në arritjen e ndryshimeve në Rumani, por ndikim ka pasur dhe shoqëria gjithnjë e më aktive dhe me mentalitet civil.

"Ka një pakicë gjithnjë e në rritje që padyshim do që shteti të vetë-reformohet, të bëhet më i ndershëm dhe kjo kategori po bëhet më e madhe. Pra, ajo ekziston dhe mendoj se do të vazhdojë të zgjerohet," thotë arkitekti Marinescu.

Por disa thonë se për t’i bërë të qëndrueshme këto arritje, populli rumun do të duhet të mbetet i angazhuar në luftën kundër korrupsionit.
Kryeprokurorja Kovesi:

"Në dhjetor, do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Mendoj se është shumë e rëndësishme nëse presidenti që do të zgjidhet do të mbështesë ose jo luftën ndaj korrupsionit."

Ndërsa analistja Laura Stefan thotë:

"Në fund të fundit, mendoj se na takon ne, qytetarëve të këtij vendi, të tregojmë interes. Është në dorën tonë të votojmë ndryshe. Është në dorën tonë të sillemi ndryshe në jetën tonë të përditshme…"

Marrë nga Radio Evropa e Lirë

XS
SM
MD
LG