Lidhje

Rrëfimet e 35 grave kundër aktorit Cosby

  • Zllatica Hoke

Në numrin e fundit të revistës New York një artikull përfshin rrëfimet e 35 grave që thonë se ishin droguar dhe përdhunuar nga aktori i njohur Bill Cosby. Gratë, të cilat variojnë në moshë nga 44-80 vjeç, përfaqësojnë profesione, raca dhe shtresa të ndryshme. Revista zhvilloi intervista me secilën prej tyre për të rrëfyer variantin e tyre të ngjarjeve:

Gjatë vitit të fundit, dhjetëra gra, shumë prej të cilave të përfshira në artikullin e revistës New York, kanë dalë publikisht me akuza për përdhunim ndaj aktorit Bill Cosby.

Në rrugët e Nju Jorkut, njerëzit kanë reagime nga më të ndryshmet për akuzat ndaj komedianit dhe aktorit të njohur:

“Është e qartë se ai është fajtor. Mund ta shtojmë edhe emrin e tij në listën e individëve të pasur e të famshëm që nuk përgjigjen para ligjit për aktet që kanë bërë, por në fund duhet të ballafaqohen me të vërtetën”.

“Sinqerisht, unë e shikoj si manovër për të nxjerrë para nga Cosby. Këtë reagim pata kur e dëgjova”.

Bill Cosby i ka hedhur poshtë akuzat se i ka droguar gratë për të kryer marrëdhënie seksuale me to. Por në vitin 2006 ai i pagoi një shumë të papublikuar një gruaje që ngriti padi kundër tij me akuzat se ai e kishte gënjyer dhe i kishte dhënë një substancë narkotike, e më pas e kishte abuzuar seksualisht. Gjatë dëshmisë në këtë çështje, aktori pohoi se kishte blerë një substancë narkotike, por avokatja e tij thotë se Cosby nuk ia kishte dhënë kujt substancën pa dieninë e individit.

Një ndër avokatët e aktorit akuzon median se i ka keqinterpretuar pasazhet e dokumetave gjyqësorë:

“Kur u tha në dëshmi se ishte përdorur substancë narkotike, bëhej fjalë për substancën Qualuddes që përdorej shpesh në vitet 1970, sidomos në mbrëmje e në disko, pra ishte një substancë që përdorej gjerësisht jo vetëm nga zoti Cosby, por edhe aktorë të tjerë”.

Ndaj Bill Cosbyt nuk janë ngritur akuza penale lidhur më këtë çështje, por karriera e tij është goditur rëndë. Shumë kontrata për reklama, apo për prezantime publike janë anuluar.

XS
SM
MD
LG