Lidhje

69 gazetarë të vrarë në vitin 2015


Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se 2015-a ishte një nga vitet më vdekjeprurëse për pjesëtarët e shtypit në gjithë botën, me 69 gazetarë të vrarë në detyrë. Sipas Komitetit, 2015-a ishte viti i gjashtë ndër 10 vjet, dhe i teti që nga viti 1992 gjatë të cilit, mbi 60 gazetarë gjetën vdekjen në detyrë, një shifër që përfshin ata që janë vënë në shënjestër për shkak të profesionit, si edhe ata që janë vrarë në luftime, që janë gjendur në mes të shkëmbimit të zjarrit apo kanë qenë duke mbuluar ngjarje të tjera të rrezikshme.

Për të katërtin vit me radhë, numri i gazetarëve të vrarë në Siri, ishte më i larti edhe këtë vit, një shifër që aktualisht është 13, një rënie e ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara: 31 gazetarë u vranë në Siri në vitin 2012 dhe 17 u vranë në vitet 2013 dhe 2014 respektivisht.

Megjithatë shifrat nuk japin një tablo të plotë. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se rënia e numrit të vdekjeve të gazetarëve në Siri mund t’i atribuohet pjesërisht, rënies së numrit të gazetarëve që punojnë në vend, si nga vendimi i organeve ndërkombëtare të medias për të mos dërguar gazetarë, ashtu edhe ai i atyre vendas për të lënë vendin.

Në Mosul të Irakut, Komiteti studioi 35 raste gazetarësh që njoftohet ose të figurojnë të zhdukur, të vdekur ose të mbajtur peng nga Shteti Islamil. Megjithatë vetëm një numër i vogël vdekjesh mundën të konfirmohen.

Franca bëhet pjesë e listës

Nga 69 gazetarët e vrarë në vitin 2015, 28 ose rreth 40 për qind, e humbën jetën në duart e grupeve ekstremiste, përfshirë Shtetin Islamik dhe al-Kaidën. Nëntë u vranë në Francë: tetë në zyrat e revistës satirike Charlie Hebdo më 7 janar dhe një që po mbulonte koncertin në Teatrin Bataclan në Paris kur persona të armatosur sulmuan më 13 nëntor.

Zyrtarja e lartë e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Courtney Radsch thotë se pavarësisht nga përhapja e teknologjisë, që e ka bërë më të mundur për njerëzit të ushtrojnë gazetarinë, ka ende “një rol të priviliegjuar” që luajnë gazetarët profesionistë, siç u pa në rastin e karikaturistëve të Charlie Hebdosë. Ajo thotë se gazetarët përballen me rrezikun në redaksitë e tyre kudo që të jenë ato.

Në shkallë globale, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se mbi dy të tretat e gazetarëve të vrarë këtë vit ishin vënë në shënjestër “si hakmarrje për punën e tyre”, një statistikë që organizata thotë se përputhet me mesataren historike, por përqindja është më e lartë në krahasim me pesë vitet e shkuara.

Censura e lartë

Zonja Radsch thotë se raporti i fundit për gazetarët që kanë humbur jetën është pjesë e një tabloje më të gjerë të lirisë së shtypit, që ajo thotë se mbetet nën presion.

Në një raport të fundit, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se shumë vende, përfshirë Iranin dhe Egjiptin, gazetarët nuk po vriten por po burgosen, që do të thotë se niveli i censurës është i lartë.

Komiteti thotë gjithashtu se të paktën 28 viktima, ishin kërcënuar para se të vriteshin. Temat më të shpeshta që mbulonin gazetarët e vrarë ishin politika, lufta dhe të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG