Lidhje

Udhëzues i ri për sigurinë e gazetarëve


Gazetarët po punojnë në kushte gjithnjë e më të rrezikshme ku siguria është bërë një shqetësim serioz. Teknologjia dixhitale dhe shkurtimet në organet e mediave kanë bërë që shumë nga gazetarët në vijën e parë të frontit të punojnë si korrespondentë të lirë dhe jo të punësuar me të gjitha të drejtat, gjë që i privon ata nga mbështetja institucionale që kanë gëzuar gazetarët që personel i mediave. Për këtë arsye, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë e pavarur që mbron lirinë e shtypit në gjithë botën thotë se ka nevojë për rrugë të reja për t’u ruajtur.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se profesioni dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët kanë ndryshuar shumë në dekadën e fundit. Zhvillimi i teknologjisë dhe ndryshimi i ekonomisë lejojnë një gazetar të nxjerrë një revistë në internet ose të përgatisë raporte për vetëm një fraksion të shumës që kushtonte më parë. Kështu organizatat nuk duan të paguajnë më shumë për lajmet, duke lënë shumë nga gazetarët që njoftojmë për ngjarje të rrezikshme – që nga derdhja e naftës, e deri tek askidentet rrugore, konfliktet e armatosura deri tek demonstratat politike, nga cunami tek krimi i organizuar – pa mbështetjen apo trajnimin e nevojshëm.

Këshilltari për sigurinë e gazetarit në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve Frank Smyth thotë se Udhëzuesi i Rishikuar për Sigurinë e Gazetarit pasqyron këto ndryshime, për shembull që gazetarët duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre, që nuk mund të lihet në dorë të të tjerëve.

“Siguria është një nga funksionet bazë të gazetarit. Ka tre elementë bazë të sigurisë së gazetarit që janë siguria fizike, ajo dixhitale dhe së fundi kujdesi për shëndetin emocional”.

Smyth thotë se gazetarët kanë filluar vetëm kohët e fundit të bëhen të vetëdijshëm për sigurinë dixhitale.

“Ata duhet të ruajnë informacionin që kanë në kompjuter, që duhet të jenë në gjendje t’i mbrojnë komunikimet e tyre, qofshin ato me email ose telefonike, apo me celular me burimet. Dhe duhet të jenë në gjendje të përdorin në vende si Siria, telefonë satelitë për shembull, të jenë në gjendje të ngarkojnë informacion pa u vënë në shënjestër”.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve duhet të dinë të mbrojnë jetën e tyre, si pëër shembull planet për hyrjen e daljen kur shkojnë në situata të rrezikshme dhe sesi të veprojnë në burokracitë e huaja, nëse plagosen ose arrestohen. Komiteti thotë se gazetarët duhet t’i kuptojnë rreziqet para se ato të ndodhin dhe të marrin hapa për t’i zbutur ato.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Peter Heinlein u ndalua në Etiopi në maj ndërsa përpiqej të intervistonte protestues gjatë një demonstrate. Ai thotë se gazetaria pa dyshim po bëhet më e rrezikshme.

“Është koha t’u thuhet gazetarëve në gjithë botën, që kur del për të mbuluar ngjarje në terren, duhet ta marrësh parasysh se po hyn në një ambjent që është gjithnjë e më shumë i sofistikuar në pengesat për gazetarët, që ata të mos mbulojnë ngjarje, por në mjedise kur qeveritë kontrollojnë ose përpiqen të kontrollojnë informacionin, ndeshesh me shumë pengesa dhe gazetarët nëse shkojnë në situata si ajo që u ndodha unë në Etiopi dhe pa njohuri paraprake, mund ta gjejnë veten në rrezik”.

Heinlein thotë se gazetarët janë të ekspozuar ndaj trajtimit që ai hasi, por nga trajnimi që kishte marrë, ai e dinte se nuk duhet të bënte qëndresë në raste të tilla.

Udhëzuesi thekson edhe nevojën e kujdesit për anën emocionale, për të njohur traumat dhe për t’i përballuar ato në rastet e mbulimeve të rrezikshme, përfshirë sulmet seksuale. Në Egjipt vitin e kaluar, në lëvizjen për rënien e Presidentit Hosni Mubarak, shumë gazetarë u sulmuan, mes së cilëve edhe gazetarja e Televizionit CBS Lara Logan, sulmi ndaj të cilës në Sheshin Tahrir e nxorri në pah çështjen e sulmeve seksuale.

Kryeredaktorja për lajmet e jashtme në ABC News Martha Raddatz thotë se kujdesi për shëndetin emocional përfshin krijimin e marrëdhënieve me njerëz të tjerë në zona lufte, gazetarë të tjerë, ekipe producentësh dhe anëtarë të ushtrisë.

“Mbështetesh tek njëri-tjetri, beson njëri-tjetrin. Mendoj se ne mbrojmë njëri-tjetrin sepse mendoj se një nga rreziqet kur shkon në një zonë konflikti, është se atje e harron sigurinë fizike, gjendjen emocionale, siguurinë dixhitale”.

Ajo thotë se pikërisht kur janë në elementin e tyre, gazetarët duhet të jenë më të kujdesshëm. Por ajo thotë se ka edhe momente kur gazetarët kanë kujtime të dhimbshme dhe duhet të kenë mënyra për t’i përballuar ato.

“Edhe përtej zonave të konfliktit, ato ngjarje që ne shohim si gazetarë janë shumë të fuqishme”.

Raddatz thotë se është shumë pozitive që udhëzuesi përfshin kujdesin për anën emocionale. Një gazetar i mirë thotë ajo, duhet të ketë ndjeshmëri. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës Sean Maroney që ka njoftuar nga Pakistani dhe Afganistani thotë se gazetarët duhet ta lexojnë udhëzuesin para se të gjenden në situata të rrezikshme.

“Sa herë që e kam gjetur veten në një situatë ku siguria ime po kërcënohej, nuk ke kohë të mendosh për udhëzuesin, duhet të reagosh”.

Udhëzuesi i ri u jep gazetarëve instrumentat të bëjnë një gjë të tillë që të mund të mbrojnë veten, burimet dhe punën e tyre.
XS
SM
MD
LG