Lidhje

Krimea një vit pas aneksimit nga Rusia


Sot u mbush plot një vit që kur Krimea iu bashkua zyrtarisht Federatës Ruse. Megjithëse disa banorë e kanë pranuar realitetin e ri, ka të tjerë që ende nuk kanë hequr dorë nga beteja për pavarësi. Perëndimi nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia. Në rrugët e Sevastopolit reagimet për aneksimin janë të ndryshme. Ka plot njerëz që shprehen mirënjohës që nuk plasi lufta, por përmendin problemet e shumta ekonomike, si papunësinë e thellë.

Pensionisti Vladimir Kondrashov thotë se kalimi nën administrimin rus ka qenë i vështirë për shumë njerëz:

“Ka shumë gjëra të paqarta. Njerëzit nuk ishin të përgatitur për kalimin e menjëhershëm nën ligjet ruse. Ata nuk i kuptojnë shumë gjëra. Periudha e tranzicionit duhet zgjatur”.

Gjendja pritet të keqësohet edhe më tej, si rezultat i sanksioneve që kanë vënë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilat pritet të shkaktojnë rritje të çmimeve dhe mungesa në produktet e konsumit.

Por drejtori i zyrës së Moskës për Institutin Carnegie, Dmitry Trenin thotë se megjithë vështirësitë që sjellin sanksionet për banorët lokalë, ato konsolidojnë mbështetjen e popullatës për Presidentin rus Vladimir Putin:

“Mendoj se zhvillimet në Kiev, triumfi i lëvizjes Maidan, të gjitha këto e gjetën të papërgatitur Presidentin Putin. Arritja e marrëveshjes së 21 shkurtit ishte një e papritur tjetër. Pra kur u gjend i papërgatitur, Putini u vu përballë provës për veprim dhe ai u hodh në veprim”.

Por kundërshtarët e aneksimit të Krimesë thonë se nuk do ta ndalin luftën për pavarësi. Për ata që shprehin simpati për Kievin, mund të ketë probleme, përfshirë edhe arrestime. Aneksimi u realizua pas një referendumi të organizuar me ngut, ku shumica e banorëve mbështetën bashkimin me Rusinë.

Ukraina dhe Perëndimi e hodhën poshtë votimin që u zhvillua dy javë pasi trupat ruse morën nën kontroll Krimenë.

XS
SM
MD
LG