Lidhje

Çfarë është Krimea?


Një burrë valvit flamurin e Krimesë gjatë një manifestimi pranë parlamentit në Simferopol

Një burrë valvit flamurin e Krimesë gjatë një manifestimi pranë parlamentit në Simferopol

Krimea është një gadishull në pjesën veriore të Detit të Zi dhe republikë autonome rusisht-folëse, në territorin e Ukrainës. Ajo u bë rajon ukrainas në vitin 1954, kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov transferoi juridiksionin e saj nga Republika Sovejtike e Rusisë tek ajo e Ukrainës, një masë që atëherë ishte thjesht një formalitet brenda kufijve të Bashkimit Sovjetik. Por pas rënies së Bashkimit në vitin 1991, Krimea mbeti pjesë e Ukrainës së pavarur.

Në historinë e saj të hershme, ajo është kolonizuar dhe pushtuar në mënyrë të vazhdueshme nga grekët, romakët, Perandoria Bizantine, etj. Në shekullin e 13-të, Krimea u pushtua nga tatarët, një popullatë myslimane turqisht-folëse, që ishte pjesë e Hordhisë së Artë, degë e Perandorisë mongole të themeluar nga një nip i Genghis Khanit.

Krimea u bë një shtet vasal i Perandorisë Osmane në shekullin e 15, por ishte njëkohësisht dhe një fuqi rajonale më vete, duke kërkuar zotërim të territorit që sot përbën rajonin e Vollgës kaspike, në Rusi. Krimea u pushtua nga Perandoria Ruse në vitin 1783.

Lufta e Krimesë në shekullin e 19-të (1853-1856), e cila vuri Rusinë përballë një aleance mes Britanisë së Madhe, Francës, Sardenjës dhe Turqisë, u zhvillua kryesisht në këtë gadishull. Pas një rrethimi të gjatë, forcat aleate morën nën kontroll qytetin e Sevastopolit, ku ishte baza e Flotës së Detit të Zi të Carit. Në fund të luftës, Krimea ishte kthyer pothuasje në gërmadhë.

Gjatë luftës civile në prag të Revolucionit rus të vitit 1917, Krimea u bë skenë luftimesh brutale mes forcave cariste, bolshevike dhe anarkiste. Pas fitores së bolshevikëve, gadishulli i Krimesë u bë pjesë e Republikës Sovietike të Rusisë.
Në vitin 1944, diktatori sovjetik Josef Stalin dëboi të gjithë popullsinë tatare të Krimesë në Azinë qendrore dhe pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik, nën akuza për bashkëpunim me nazistët.

Në vitin 1954, Bashkimi Sovjetik – në atë kohë nën drejtimin e Nikita Hrushovit – e transferoi Krimenë nga Republika e Rusisë tek Republika Sovjetike e Ukrainës.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Krimea u bë pjesë e Ukrainës së pavarur, ndërkohë që Moska dhe Kievi ranë dakord që të ndanin mes tyre Flotën ish-sovjetike të Detit të Zi. Qyteti port Sevastopoli në Krime vazhdon të jetë baza e Flotës ruse të Detit të Zi.

Rusët etnikë përbëjnë 58 përqind të popullsisë së Krimesë, ndërsa ukrainasit përbëjnë 24 për qind. Tatarët e Krimesë, të cilët filluan të kthehen në gadishull pas rënies së Bashkimit Sovjetik, përbëjnë 12 për qind të popullsisë së saj.
XS
SM
MD
LG