Lidhje

Anëtarësimi i Kroacisë në BE


Kroacia bëhet pjesë e Bashkimit Evropian më 1 korrik, duke shënuar kështu fundin e udhëtimit drejt anëtarësimit dhe një kthesë të rëndësishme të një vendi që gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990 ishte i rrënuar nga lufta. Por tek një pjesë të madhe e kroatëve është vënë re një mungesë e dukshme entuziazmi rreth anëtarësimit në BE.

Në Bruksel, tashmë festimet kanë filluar me flamurin kroat që i bashkohet 27 flamujve të tjerë në zemrën e politikës së Bashkimit Evropian.
Por, si do të ndryshojë jeta per kroatët e zakonshëm? James Ker-Lindsay i Shkollës Ekonomike të Londrës:

"Shumë elementë të jetës së përditshme ndoshta kishin ndryshuar tashmë për shkak të ligjeve të modifikuara si pjesë e procesit të harmonizimit me BE-në. Por, natyrisht, kemi edhe ndjesinë e të qenit vërtetë pjesë e grupit, së bashku me lirinë e lëvizjes në të gjithë Bashkimin Evropian."

Anëtarësimi i plotë nënkupton se Kroacia do të jetë në gjendje të shesë produktet e saj pa tarifa në të gjithë BE-në. Kreu i Dhomës kroate të Tregtisë, Nadan Vidosheviç thotë se vendi po i bashkohet BE-së duke treguar kujdes.

"Është sikur po hidhemi në ujë të ftohtë dhe do të fillojmë të notojmë. Por ne vendosëm të hidhemi sepse besojmë se në fund do të jetë diçka e dobishme për ne. Do t’i shërbejë mirëqenies së qytetarëve të vendit tim."

Por pas pesë vitesh krizë ekonomike në Evropë, sondazhet tregojnë se tani janë më të paktë kroatët entuziastë rreth anëtarësimit ose që kanë besim tek institucionet e BE-së.
Kroacia po kalon gjithashtu krizën e vet ekonomike. Borxhi i qeverisë është në rritje dhe dy agjenci e kanë reduktuar vlerësimin e bonove qeveritare kroate në nivel shumë të ulët. BE-ja ka përgatitur tashmë një fond prej 655 milionë eurosh për të subvencionuar Kroacinë këtë vit.

Por ndërsa Kroacia do të fitojë qasje në tregun e BE-së, edhe vendet e tjera anëtare do të fitojnë qasje në tregun kroat, dhe shumë analistë thonë se bizneset jokonkurruese do ta kenë të vështirë të mbijetojnë.

Corina Stratulat është analiste në Qendrën e Politikave Evropiane.

"Kemi punuar shumë gjatë këtij procesi dhjetë-vjeçar, i cili është në një farë mënyre fejesa, dhe tani të dyja palët mendoj se kanë rënë dakord për këtë martesë të vetëdijshme për faktin se mbetet shumë punë për të bërë."

Fondet e BE-së do të ndihmojnë në rinovimin e trashëgimisë kulturore të Kroacisë në qytete si Dubrovniku.

Në vitin 1991, qyteti u rrethua nga ushtria dhe forcat detare jugosllave. Gjatë viteve në vijim Kroacia dhe fqinjët e saj në Ballkan ishin të përfshira në konflikte. Në vend ka ende pakënaqësi për faktin që pjesa tjetër e Evropës nuk bëri më tepër për t'i dhënë fund konfliktit. Sërish, James Ker-Lindsay.

"Ka pasur shumë njerëz në Evropën Juglindore të cilët u habitën kur BE-ja mori Çmimin Nobel për Paqen vitin e kaluar. Por mendoj se është e drejtë të thuhet se një pjesë e madhe e paqes dhe e stabilitetit që shohim tani në rajon është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtij projekti, pra e procesit të zgjerimit të BE-së."

Zoti Ker-Lindsay thotë se ky transformim i Kroacisë po inkurajon vende të tjera kandidate për anëtarësim në BE, si Serbia. Dhe ai është optimist se më 1 korrik, shumë kroatë do të pranojnë përparimin që është bërë gjatë 20 viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG