Lidhje

Kroacia pranon mbi 5 mijë migrues


Autoritetet kroate thanë se mbi 5 mijë migrues kanë hyrë në këtë vend pak kohë pasi që Hungaria mbylli kufirin me Serbinë

Kroacia tha se 5 mijë e 600 migrues kanë hyrë në këtë vend që kur Hungaria mbylli kufirin me Serbinë, ndërsa Kombet e Bashkuara e cilësuan trajtimin e strehim kërkuesve nga Hungaria si të papranueshëm

Policia publikoi të dhënat të enjten, pas 24 orësh të vërshimit të migruesve në kufijtë lindor duke e bërë Kroacinë stacionin e ri të rrjedhës së njerëzve që po përpiqen t’i shpëtojnë dhunës në vendet e shkatërruara nga luftërat si Siria, Iraku e Afganistani.

Kryeministri kroat Zoran Milanoviç, po diskuton këtë çështje me kryeministrin austriak Werner Faymann, të enjten në Zagreb. Milanoviç është zotuar se do të lejojë kalimin e lirë të migruesve.

Ministrja e jashtme kroate Vesna Pushiç, tha të mërkurën vonë se Kroacia është e gatshme për të pritur mijëra refugjatë, por nuk mund të përballet me dhjetëra mijëra të tillë.

Të mërkurën sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, dënoi trajtimin e migruesve nga ana e Hungarisë, pasi që policia përdori gazin lotsjellës dhe topat e ujit ndaj qindra strehim kërkuesve në kufirin me Serbinë.

Policia hungareze përleshet me migruesit në kufirin me Serbinë

Policia hungareze përleshet me migruesit në kufirin me Serbinë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së tha se migruesit “janë njerëz që po ikin nga lufta dhe përndjekja”, dhe ata “duhet te trajtohen me dinjitet”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, dënoi atë që e quajti “trajtim brutal” të migruesve nga ana e Hungarisë. Policia u përlesh për katër orë me migruesit pas mbylljes së njërës prej vendkalimeve më të mëdha kufitare për në Bashkimin Evropian.

Hungaria tha se migruesit provuan të kalojnë nëpërmjet murit rrethues duke paraqitur kërcënim për vendin.

Në rastin e parë të zbatimit të ligjeve të reja të ashpra kundër migruesve në Hungari, një gjykatë dënoi të mërkurën një irakian për kalim të paligjshëm të murit kufitar me Serbinë, urdhëroi dëbimin e tij dhe ndalimin e hyrjes në Hungari për një vit.

Derisa migruesit u nisën drejt Kroacisë nëpër kufirin lindor me Serbinë, autoritetet dërguan urgjentisht ekspertët e deminimit në kufi, për të shënuar fushat e minuara të mbetura nga koha e luftërave në Ballkan gjatë viteve të 90-ta.

Hungaria arsyeton mbylljen e kufirit duke thënë se po e mbron territorin e saj nga vërshimi i migruesve që kërkojnë mundësi më të mira ekonomike dhe jo ikje nga përndjekja në vendet e tyre.

Por, shumë migrues po kërkojnë gjetiu hyrje në Bashkimin Evropian duke ecur nga Salzburgu i Austrisë për në Gjermani apo nëpërmjet Lituanisë në rrugë drejt vendeve skandinave.

Presidenti sirian Bashar al-Assad, fajësoi Evropën për valën më të madhe të migruesve që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai akuzoi Evropën për mbështetje të “terroristëve” sirianë, me të cilën ai përshkruan disa grupe që po përpiqen të rrëzojnë regjimin e tij.

“Nëse jeni të shqetësuar për refugjatët, jepini fund mbështetjes së terroristëve”, u tha Assadi mediave ruse.

Duke mirëpritur disa qindra mijëra refugjatë, kabineti i kancelares gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për zgjerimin e operacioneve detare në Mesdhe për të penguar trafikantët që të transportojnë më shumë migrues në anije të dëmtuara e të mbipopulluar për në brigjet e Greqisë e Italisë.

Nëse kërkesa miratohet nga parlamenti gjerman, mbi 950 trupa ushtarake mund të përfshihen në operacion.

Më shumë se 430 mijë migrues në kërkim të një jetë më të mirë, përfshirë refugjatët nga Siria dhe Iraku kanë hyrë në Evropë gjatë këtij viti. Vëzhguesit e migrimeve thonë se rreth 3 mijë syresh kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për hyrë në Evropë.

XS
SM
MD
LG