Lidhje

Shesheli përplasë Kroacinë me Serbinë


Udhëheqësi i radikalëve serbë Vojislav Sheshel, dogji flamurin kroat në Beograd, duke nxitur reagimin e Zagrebit zyrtar.

Ministria e jashtme e Kroacisë thirri për këshillime ambasadoren e saj në Beograd Gordana Markotiç, pasi që udhëheqësi i Parisë Radikalë serbe Vojislav Sheshel, dogji flamurin e Kroacisë në Beograd, por edhe për shkak të sic është thënë, deklaratave “fyese, të papranueshme dhe të papërgjegjshme të ministrit serb Aleksandër Vulin.

Të mërkurën udhëheqësi radikal dogji flamurin kroat para pallatit të drejtësisë së Serbisë, ku është hapur një proces kundër zëvendësit të tij Nemanja Sharoviç, i akuzuar për shkak të djegies së flamujve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, gjatë një proteste në vitin 2013.

Në reagimin e ministrisë së jashtme të Kroacisë thuhet se “i akuzuari për krime lufte Sheshel, me gjuhën e urrejtjes dhe retorikën e luftës, përpiqet të ndikojë në rajon, posaçërisht në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, duke djegur flamurin kroat para institucioneve shtetërore të Serbisë”.

Kroacia thekson se në rrethana të tilla, është detyrë e të gjithë politikanëve që të veprojnë drejt qetësimit të situatës dhe të sillen në mënyrë të arsyeshme dhe të përgjegjshme.

“Vlerat evropiane nënkuptojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe sjellje korrekte në rajon, që është një nga parakushtet për suksesin e Serbisë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, deklaratat e sotme të zyrtari të lartë politik, Aleksandër Vulin i vlerësojmë fyese, të palejueshme dhe të papërgjegjshme”.

Zagrebi zyrtar i drejtoi një notë të ashpër proteste të ngarkuarës me punë të Serbisë në Kroaci, Bosa Prodanoviç.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se qëndrueshmëria është më e nevojshme se kurrë. “Pamjet me djegien e flamujve që janë dërguar nga Beogradi, janë pamje të këqia dhe deklaratat tona se ato nuk kanë të bëjnë me shtetin, se ato po i bëjnë partitë jo parlamentare, nuk do të përmirësojnë imazhin tonë”, tha ai.

Përplasje deklaratash ndërmjet të dyja vendeve pasuan urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, për kthimin në Hagë të udhëheqësit të radikalëve serb Vojislav Sheshel, i cili në nëntor të vitit të kaluar ishte liruar përkohësisht, për shkak të gjendjes shëndetësore. Gjykata i kishte dhënë mundësi atij të kërkojë trajtim mjekësor në Serbi, me kusht që të mos ndërhyjë tek viktimat apo dëshmitarët dhe që të kthehet në gjykatë kurdo që kjo kërkohet prej tij.

Dhoma e apelit e gjykatës thuhet në një njoftim“urdhëron dhomën gjykuese që menjëherë ta anulojë lirimin e përkohshëm të Sheshelit dhe të urdhërojë kthimin e tij në burgun e Kombeve të Bashkuara në Hagë”, për shkak se kishte thyer rregullat e lirimit me kusht.

Por, ai u ka deklaruar medieve serbe se nuk do të dorëzohet vullnetarisht një qëndrim që e kishte shprehur që nga kthimi në Serbi. Që në dhjetor të vitit të kaluar ai kishte thënë se do të ushtrojë të gjitha të drejtat ligjore për të rezistuar arrestimin dhe dorëzimin në Hagë. Ai kishte thënë se në tërë këtë ja edhe një paradoks historik, meqë “do të më arrestojnë dhe dorëzojnë ata që ishin bashkëpunëtorët e mi kryesor në të gjitha krimet e mundshme të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, kishte deklaruar ai duke vënë theksin tek presidenti aktual i Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandër Vuçiç.

Kroacia i bëri thirrje Serbisë që të përmbushë urdhrin duke shprehur sërish habinë e saj me lirimin e përkohshëm të ultranacionalistit serb.

Zyrtarë të Beogradit, si Aleksandër Vulin, kritikuan Kroacinë për qëndrimet e saj, duke e akuzuar për “spastrim etnik” të zonave të banuara me shumicë serbe gjatë luftës së viteve të 90-ta, që çuan në shkatërrimin e ish Jugosllavisë.

Madje, ata thanë se vendimi i Gjykatës së Hagës synon në radhë të parë të rrënojë qeverinë e Aleksandër Vuçiçit dhe drejtpërdrejtë rrënimin e kryeministrit serb.

Qeveria serbe e cila drejtohet nga ish bashkëpunëtorët e ngushtë të Vojislav Sheshelit, do të përballet me vështirësi në përmbylljen e këtij kapitulli të bashkëpunimit me gjykatën ndërkombëtare ndërsa synon integrimet në Bashkimin Evropian i cii mbështetë Gjykatën e Hagës.

Vojislav Sheshel, 60 vjeçar, ndodhej në Hagë që nga vitit 2003 ku është gjykuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në fillim të viteve nëntëdhjetë, që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG