Lidhje

Kryeministri kroat viziton Ukrainën


Kryeministri kroat Andrej Plenkovic dhe një delegacion biznesmenësh kroatë gjenden sot në Ukrainë për një vizitë zyrtare. Kryeministri ballkanas i ofroi homologut të tij Volodymyr Groysman ndihmën e Kroacisë në lidhje me hartimin e ligjeve të përafërta me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Gjatë vizitës së parë zyrtare të tij në Ukrainë sot, kryeministri kroat Andrej Plenkovic tha se ata ishin të gatshëm të ndanin përvojën e tyre me Ukrainën për hartimin e ligjeve sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.

“Si anëtarët më të rinj të Bashkimit Evropian, sot ne i ofruam Ukrainës ekspertizën tonë që mund të ndihmojë në procesin e asociimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian. Ne kemi arritur shumë dhe specialistët tanë janë të mirë-përgatitur dhe në këtë takim ofruam ndihmën tonë për këshillime në anën ligjore,” tha kryeministri kroat.

Zoti Plenkovic theksoi se ai mbështet një marrëveshje për regjim pa viza për qytetarët e Ukrainës me BE-në.

“Në këtë drejtim, Kroacia ndihmon shumë në procesin e marrëveshjes për regjimin pa viza për qytetarët ukrainas. Dhe për mendimin tim, BE-ja duhet ta marrë këtë vendim sa më shpejt të jetë e mundur” shtoi ai.

Ukraina, një ish-republikë sovjetike, ka krijuar lidhje më të ngushta me B.E.-në që kur Moska aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe filloi të mbështesë rebelët pro-rusë që luftojnë kundër Kievit në rajonet lindje të vendit.

Mbeten shumë vështirësi për të arritur sukses, duke përfshirë luftën e ngadaltë të Ukrainës kundër korrupsionit.

Por, një javë para një takimit të nivelit të lartë të B.E.-së dhe Ukrainës më 24 nëntor, shtetet anëtare dhanë mbështetjen e tyre të kushtëzuar për të lejuar ukrainasit të udhëtojnë pa viza në B.E.

Kryeministri ukrainas Volodymyr Groysman tha se vizita e zotit Plenkovic atje shënoi një fazë të re bashkëpunimi mes dy vendeve.

Kjo është vizita e parë e një kryeministri kroat në Ukrainë gjatë 25 vjetëve të fundit që kur Ukraina fitoi pavarësinë në vitin 1991.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG