Lidhje

50 vjet që nga kriza kubane e raketave


Kriza mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik pothuajse u shndërrua në luftë bërthamore

Ky muaj shënon 50 vjetorin e krizës kubaneze të raketave, një përplasje mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik që e coi botën në prag të luftës bërthamore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim kësaj krize.

Më 14 tetor 1962, fotografitë e marra nga një avion amerikan përgjimi treguan praninë e armëve bërthamore sovjetike në Kubë.

Graham Allison, ekspert për krizën kubane të raketave thotë se kishte dy lloje raketash.

“Një grup kishte raketa balistike me rreze të mesme veprimi, që mund të godisnin deri në Uashington. Kishte gjithashtu edhe raketa bërthamore me rreze pak më të gjatë që mund të godisnin deri në Omaha të Nebraskës, ku ishte Komanda Ajrore Strategjike. Pra të dyja llojet mbulonin dy të tretat e territorit të Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti John F. Kennedy mblodhi një grup ekspertësh për të marrë një vendim për hapat e mëtejshëm. Grupi mbajti konsultime të fshehta për disa ditë. Në fillim ekspertët ishin në favor të goditjeve ajrore, pasuar nga një ndërhyrje nga toka, por menduan se një gjë e tillë do ta bënte të pashmangshme luftën bërthamore.

Zoti Allison thotë se ata e dinin që udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov do të reagonte me force.

“Ata menduan se Hrushovi do të godiste bazat e raketave amerikane në Turqi. Ne kishim atje raketa që dukeshin pothuajse si ato që sovjetikët po vendosnin në Kubë. Dhe nëse ata sulmonin raketat tona bërthamore në Turqi, që kishin një rreze veprimi që arrinte Bashkimin Sovjetik, ne sigurisht do të na duhej të përgjigjeshim. Pra, do të ishte një tjetër rrugë drejt luftës bërthamore dhe për këtë arsye, kjo alternativë u hodh poshtë dhe pasi ekspertët e analizuan edhe më tej këtë çështje, vendosën për një bllokadë detare ndaj Kubës”.

Presidenti Kennedy e bëri njoftimin në një fjalim para kombit në television, më 22 tetor, 1962.

“Do të jetë politika e këtij vendi që ta konsiderojë çdo raketë bërthamore të lëshuar nga Kuba kundër kujtdo veni të Hemisferës Perëndimore, një sulm nga Bashkimi Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, që kërkon një kundërveprim të plotë ndaj Bashkimit Sovjetik”.

Dy ditë më pas, anijet sovjetike iu afruan vijës bllokuese dhe ndaluan. Sekretari i Shtetit Dean Rusk u citua atëherë të thoshte: “Ne ia ngulitëm sytë njëri-tjetrit dhe kundërshtari i largoi sytë i pari”.

Sergei Hrushov, i biri i udhëheqësit sovjetik, ishte atëherë 27 vjeç. Ai thotë se i kujtohet që i ati ishte kishte ruajtur qetësinë gjatë gjithë krizës.

“Atë nuk e zuri paniku. Ai mendonte se një nga gjërat më të rëndësishme ishte që të mos ndërmerrej goditja e parë. Sepse nëse kjo ndodhte, nuk do të kishte më negociata dhe gjithçka do të ishte në dorë të ushtrisë që ka një kod të ndryshëm. Dhe mendoj se edhe Presidenti Kennedy kishte të njëjtën ide, të shmangte goditjen e parë. Sepse nëse nuk kishte goditje, mund të negocioje, përndryshe do të ishte katastrofë”.

Zoti Hrushov thotë se babai i tij dhe Presidenti Kennedy ishin kundërshtarë, por negociuan me njëri-tjetrin.

Bllokada detare ndaj Kubës funksionoi, por tensionet u rritën ndërsa Moska vashdoi t’i aktivizonte raketat që ishin në Kubë.

Më 26 tetor, 1962, presidenti Kennedy mori një mesazh nga Hrushovi, që ofronte t’i tërhiqte raketat nga Kuba, në këmbim të garancive që Uashingtoni as nuk do ta pushtonte atë vend, as nuk do të përmbyste Fidel Castron. Para se të përgjigjej, Presidenti Kennedy mori një letër tjetër nga zoti Hrushov. Oferta këtë here ishte që Shtetet e Bashkuara të tërhiqnin raketat nga Turqia në këmbim të tërheqjes së raketave sovjetike nga Kuba.

Graham Allison thotë se Presidenti Kennedy dhe këshilltarët e tij vendosën ta shpërfillnin letrën e dytë dhe ranë dakord të përfshinin përmbajtjen e letrës së pare në një propozim të ri.

“Propozimi kishte tre elementë. I pari ishte një marrëveshje publike që përputhej me përmbajtjen e letrës së pare, pra tërheqje e raketave nga Sovjetikët nëse Shtetet e Bashkuara nuk sulmonin Kubën. Kishte një ultimatum privat, ku thuhej që Shtetet e Bashkuara donin një përgjigje brenda 24 orësh ose përndryshe do të vepronin. Elementi i tretë, që unë e quaj “zbutësi sekret” ishte mesazhi që Shtetet e Bashkuara nuk ishin të gatshme të bënin një marrëveshje për raketat në Turqi. Por shtonte se nëse raketat tërhiqeshin nga Kuba, brenda gjashtë muajsh nuk do të kishte më raketa në Turqi”.

Më 28 tetor, Nikita Hrushov deklaroi në radio Moska se Bashkimi Sovjetik e pranonte ofertën amerikane dhe do të tërhiqte raketat nga Kuba.

Në mes të nëntorit 1962, të gjith raketat sovjetike ishin tërhequr nga Kuba. Dhe në prill të vitit pasues, në bazë të marrëveshjes sekrete, të gjitha raketat amerikane u hoqën nga Turqia.
XS
SM
MD
LG