Lidhje

Marrëveshje e rëndësishme tregtare SHBA - Kubë


Sprint u bë kompania e parë amerikane e telekomunikacionit që do të sigurojë shërbim të drejtpërdrejtë të telefonisë mobile për të huajt në Kubë. Marrëveshja u arrit në Panairin Ndërkombëtar të Havanës. Kompania Sprint thotë se pret që numri i vizitorëve në Kubë të arrijë në 5 milionë në vit brenda dekadës së ardhshme.

Firma Sprint me bazë në SHBA nënshkroi një marrëveshje me agjencinë shtetërore kubane të telekomunikimeve Etecsa, me objektivin për t’u shërbyer miliona turistëve që pritet të vizitojnë ishullin në vitet e ardhshme. Ky hap vjen ndërsa Uashingtoni dhe Havana vazhdojnë të shqyrtojnë mundësitë e biznesit, që pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në korrik për herë të parë në më shumë se 54 vjet.

Me marrëveshjen e re, klientët e kompanisë Sprint tani do të jenë në gjendje të dërgojnë e marrin telefonata dhe mesazhe me tekst në Kubë nga pajisjet e tyre celulare, një arritje që shefi ekzekutiv i korporatës Spint, Marcelo Klaure, e cilëson si hap të rëndësishëm për të dy vendet.


Ai thotë se kjo është me rëndësi, sepse tregon që SHBA dhe Kuba po bashkëpunojnë në një fushë të tillë si komunikimi, dhe pritet që ky të jetë fillimi i një marrëdhënieje afatgjatë midis kompanive Sprint dhe Etecsa.

Marrëveshja u njoftua të hënën në Panairin Ndërkombëtar të Havanës, ku këtë vit ekspozuan punimet e tyre 900 kompani, një e treta e tyre kubane. Afërsisht 70 vende janë përfaqësuar, përfshi Shtetet e Bashkuara.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë SHBA – Kubë, Myron Brilliant

thotë se ka shumë gjëra që mund të bëjë Uashingtoni. Këto ne po i shqyrtojmë. Ne do të jemi një zë për ndryshim, në fund të fundit një zë për heqjen e embargos.

Një nga rivalët kryesore të kompanisë Sprint në Shtetet e Bashkuara, firma Verizon, njoftoi në shtator se do të ofrojnë një shërbim për klientët e saj që vizitojnë Kubën, edhe pse tërthorazi, përmes një pale të tretë të kontraktuar nga Etecsa.

Firmat amerikane kanë mbetur prapa nga partnerët strategjikë të Kubës, përfshi Kinën, Rusinë, dhe Venezuelën. Spanja, nga ana e saj, gjithashtu ka patur marrëdhënie të suksesshme tregtare me Havanën, dhe ka praninë më të madhe në panairin e këtij viti, që përfaqëson 150 prej 600 kompanive të huaja pjesmarrëse.

XS
SM
MD
LG