Lidhje

Reflektime mbi marrëdhënien Kubë – SHBA


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do vizitojë Kubën në fund të kësaj jave dhe do të inaugurojë çeljen e ambasadës amerikane në Havanë, një tjetër hap ndërmjet të dy vendeve dikur armike gjatë luftës së ftohtë dhe që tashmë duken të vendosura për të kthyer një faqe të re diplomatike pas më shumë se pesë dekadash. Ambasada e Kubës në Uashington u hap muajin e kaluar.

Kjo do të jetë vizita e parë e një Sekretari amerikan të Shtetit në Kubë pas 70 vjetësh.

Vatikani luajti një rol kyç në afrimin e të dy vendeve dhe Papa Françesku pati dërguar një letër presidentëve Obama dhe Castro, duke bërë thirrje për një marrëdhënie më të afërt.

Kreu i Konferencës së Peshkopëve Katolikë të Kubës, Monsinjor Jose Felix Perez, thotë se ulja e tensioneve do të ndihmojë për ribashkimin e familjeve të ndara.

“Po dëshmohet se afrimi, dialogu dhe negocimi, mund të kontribuojnë për ribashkimin e familjeve që jetojnë në Kubë dhe në SHBA. Nuk takohen dot prej kohësh, madje as kur ka vdekur një anëtar i familjes dhe nuk marrin dot pjesë në varrim. Përmirësimi i marrëdhënieve do ta bëjë komunikimin më të shëndetshëm dhe do të heqë edhe ngarkesën psikologjike.”

Ndërtesa 6-katëshe e ambasadës amerikane në Havanë mbylli papritur dyert në vitin 1961, kur Fidel Castro, vëllai i presidentit aktual, shtetëzoi pronat amerikane dy vjet pasi rrëzoi diktatorin Fulgencio Batista, i cili kishte mbështetjen amerikane.

Ish-diplomati kuban Carlos Alzugaray shpreson se të dyja vendet do të kthejnë një faqe të re.

“Jam dakort me Presidentin Obama se kubanët nuk ka pse të mbeten peng i së shkuarës, e cila nuk është e mirë. Ambasada amerikane në Kubë mbështeste Batistën dhe ndërhynte dukshëm në punët e brendshme të Kubës. Shpresoj që tani do të kuptojnë se humbasin shumë me atë lloj përqasjeje. Unë personalisht do të mikprisja me vullnet të mirë çdo diplomat amerikan, duke mos lënë të shkuarën të ndikojë veprimet e mia, por duke mos e harruar atë.”

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kubës të përmirësojë situatën e saj me të drejtat e njeriut. Ndërkohë që Havana liroi 53 të burgosur politikë, vazhdon shtypja e disidentëve dhe të tjerë të burgosur politikë vazhdojnë të jenë në burg.

Disidenti Elizardo Sanchez, i Komisionit Kombëtar kuban për të Drejtat e Njeriut dhe Ripajtimin, thotë se i mirëpret bisedimet, por se Havana nuk po ndërmerr reforma për të modernizuar vendin, lirinë e fjalës dhe të mediave.

“Është më mirë që qeveritë të flasin me njëra-tjetrën për të zgjidhur problemet në tavolinë se sa me luftë. Sidoqoftë, nuk presim ndonjë gjë spektakolare pasi qeveria kubane refuzon të ndërmarrë reformat që i duhen Kubës për të drejtat civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Pra, edhe pas hapjes së ambasadës, do të kemi një Kubë në të njëjtën situatë, për të mos thënë më keq.”

Monsinjor Perez thotë se shumë kubanë shpresojnë që përmirësimi i marrëdhënieve me Uashingtonit do të sjellin përmirësim ekonomik dhe një hapje më të madhe të jetës së tyre të përditshme.

“Nga pikëpamja ekonomike ka shumë pritshmëri, por mendoj se duhet ta peshojmë me zhvillime elementare, p.sh. investime ekonomike dhe ajo çka njerëzit presin për një standard më të mirë jetese. Gjithashtu, do të dëshironim një mjedis më të hapur në shprehjen e ideve, dhe tolerancë për opinionet e ndryshme.”

Arritje thelbësore ndërmjet Kubës dhe Shteteve të Bashkuara do të arrihen vetëm nëse lihen prapa 50 vite mosbesimi, dhe armiqësinë e ngjarjeve si zbarkimi amerikan në Gjirin e Derrave apo kriza e raketave kubane.

“Është e vështirë, por jo e pamundur. Mund të krijohet një mirëbesim relativ. Nëse na respektojnë. Përndryshe nuk mund të vazhdohet. Amerikanët kanë marrëdhënie me shumë vende të tjera me të cilat nuk janë dakort. Mund ta mbajmë një marrëdhënie me Amerikën, duke ruajtur diferencat, të cilat janë shumë të mëdha.”

Lëvizja për afrim e Presidentit demokrat Obama, ka hasur në rezistencë në Uashington, si dhe ndër disa kubano-amerikanë me influencë. Kritikët thonë se Kuba nuk duhet shpërblyer pa ndryshuar sistemin e saj një-partiak.

XS
SM
MD
LG