Lidhje

Kthimi i kubano-amerikanëve në Kubë


Pas ri-vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, shumë kubanezë duan të largohen nga vendi komunist. Por jo kubano-amerikani Carlos Gonzalez. Pas normalizimit të marrëdhënieve SHBA-Kubë, ai nxori në treg shtëpinë e tij në Merilend dhe udhëtoi në Kubë. Ishte një udhëtim i veçantë për të dhe nipin e tij.

Carlos Gonzalez u rrit në Kubë. Njëra pjesë e familjes së tij mbështeti kryengritësin Fidel Kastro, ndërsa pjesa tjetër diktatorin Fulgencio Batista. Familja e tij u largua nga ishulli komunist dhe erdhi në Amerikë kur ai ishte 13 vjeç.

Tani gjysmë shekulli më vonë, me hapjen e ambasadave në Uashington dhe Havanë, zoti Gonzalez është gati të kthehet në vendlindje.

"Është një ndjenjë malli. Të bën të mendosh për paraardhësit dhe historinë tënde në këtë vend. Pra, identitetin tënd".

Gonzalez shkoi në Majami me makinë dhe pastaj me avion drejt Havanës, ku ai do t’i duhet të përshtatet me një jetë të re.

"Është si një kthim prapa, nuk ka makina të reja atje, ato janë të viteve 1950-të. Por kjo e bën të veçantë Havanën. Njerëzit duan të kthehen në vitet 1950. Ata nuk duan të shkojnë në dyqane të mëdha ose në Las Vegas".

Kur Carlos arriti në Kubë, ai gjeti një ndërthurje të së vjetrës me të renë.

Ai vizitoi fushën ku xhaxhai i tij e paralajmëroi atë për një fqinj të famshëm.

"Ai më thoshte, e shikon atë shtëpi atje? Nuk duhet të shkosh atje sepse atje jeton një i moshuar i pistë. Isha 9 ose 10 vjeç në atë kohë. Unë këmbëngula duke thënë se dua ta vizitoj këtë të moshtuar të pistë".

Personi për të cilin ata flisnin ishte Ernest Hemingway. Për dy vjet, Carlosi i ri piu limonadë me autorin dhe ka vizituar bibliotekën e tij private, që tani është bërë muze.

Gonzalez qëndroi një muaj në Kubë, në pritje të konfirmimit të shtetësisë së tij kubane. Videografi kubano-amerikan dëshiron të krijojë një histori me mbi një mijë kubanezët e moshës mbi 100 vjeç.

"Këta njerëz e dinë historinë kubane. Ata kanë lindur në kohën e luftës spanjollo-amerikane dhe e kanë përjetuar atë!"

Zoti Gonzalez është në një udhëtim personal në të kaluarën e tij, duke menduar për atë që një Kubë më e hapur mund të sjellë për të ardhmen e tij.

XS
SM
MD
LG